Ballina Kronika E raportuan si vdekje natyrale/ Dyshohet se ka vrarë nënën e saj,...

E raportuan si vdekje natyrale/ Dyshohet se ka vrarë nënën e saj, vihet në pranga 57-vjeçarja

82
0

Një ngjarje e rëndë, e mbajtur e fshehtë për më shumë se një muaj dhe e raportuar fillimisht si vdekje natyrale, është zbardhur nga Policia e Lezhës.

Bëhet fjalë për vdekjen e 85-vjeçares D. Sh., në fshatin Fushë-Mamurras të Kurbinit, e ndodhur më 30 prill 2026. Sipas hetimeve, e moshuara ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me mjet prerës, ndërsa si autore e dyshuar e krimit është identifikuar vajza e saj, Violeta Shpani, 57 vjeçe.

Hetimet nisën pasi Policia siguroi informacione operative që ngritën dyshime mbi rrethanat e vdekjes së 85-vjeçares, e cila ishte deklaruar si rast vdekjeje natyrale dhe nuk ishte raportuar pranë autoriteteve ligjzbatuese.

Pas veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, u arrit në përfundimin se bëhej fjalë për një vrasje brenda familjes. Në vijim të operacionit “Enigma”, u bë ndalimi i Violeta Shpanit, e cila akuzohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Sipas Policisë, 57-vjeçarja jetonte në të njëjtën banesë me viktimën dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Gjatë hetimeve është sekuestruar edhe thika që dyshohet se është përdorur në krim, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me ngjarjen.

Në të njëjtën kohë, materialet procedurale janë referuar në gjendje të lirë edhe për mjeken A. Ll., e dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Sipas hetimeve, ajo kishte plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar rastin si vdekje natyrale dhe pa njoftuar Policinë për vdekjen e 85-vjeçares.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet një ngjarje kriminale, vrasje në familje, e ndodhur në fshatin Fushë Mamurras, Kurbin.

Dyshohet se ka vrarë nënën e saj me mjet prerës (thikë), vihet në pranga 57-vjeçarja.

Procedohet penalisht edhe një shtetase (mjeke), e cila ka plotësuar aktin si vdekje natyrale dhe nuk ka raportuar në Polici rastin.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë siguroi të dhëna në rrugë operative se në fshatin Fushë Mamurras kishte ndërruar jetë një 85-vjeçare më datë 30.04.2026, duke u pretenduar vdekje natyrale dhe pa u raportuar në Polici.

Nga të dhënat e siguruara nga Policia lindën dyshime të arsyeshme për një ngjarje kriminale.

Bazuar në informacionet e siguruara, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në bashkëpunim me Prokurorinë nisi menjëherë veprimet verifikuese dhe hetimore në lidhje me rastin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se shtetasja D. Sh., 85 vjeçe, ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me mjet prerës (thikë), ndërsa si autore e dyshuar e ngjarjes rezulton vajza e saj, shtetasja V. Sh., e cila jetonte në të njëjtën banesë me viktimën dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetases V. Sh., 57 vjeçe, banuese në Fushë-Mamurras, e dyshuar si autore e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thikë), si dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.

Gjithashtu, janë referuar materialet procedurale në gjendje të lirë për shtetasen A. Ll., mjeke, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, e cila ka plotësuar aktin e vdekjes, duke e cilësuar si vdekje natyrale dhe duke mos e raportuar në Polici vdekjen e 85-vjeçares.

Në bashkëpunim me Prokurorin vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe, nëse ka persona të tjerë të përfshirë, për identifikimin dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.