Ballina Opinion Marshi Shqiptar si Thirrje për Reflektim

Marshi Shqiptar si Thirrje për Reflektim

47
0

Nga Klevis Bakillari

Prej vitesh, Partia Socialiste ka ndërtuar një raport të veçantë me pushtetin. Ajo që nisi si një projekt transformimi politik e social, gradualisht u shndërrua në një mekanizëm administrimi pushteti, ku besnikëria ndaj individit filloi të mbizotërojë mbi besnikërinë ndaj idealeve.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, është krijuar perceptimi se edhe Edi Rama, arkitekti i pushtetit të sotëm socialist, nuk ka mbetur imun ndaj tundimit për ta identifikuar partinë me veten dhe veten me shtetin.

Kjo nuk është një problematikë personale. Është një problematikë sistemike.

Historia politike na mëson se demokracitë nuk rrëzohen vetëm nga kundërshtarët e tyre; ato ngurtësohen kur institucionet bëhen më pak të rëndësishme se individët që drejtojnë. Kur partia bëhet zgjatim i liderit, kur administrata bëhet zgjatim i partisë dhe kur shteti perceptohet si pronë e një grupi të caktuar, atëherë fillon degradimi i heshtur i demokracisë.

Pikërisht këtu qëndron rëndësia e Marshit Shqiptar.

Shumë e interpretojnë atë si një protestë normale. Në të vërtetë, është një stimul psikologjik kolektiv që e nxori shoqërinë nga zona e rehatisë politike. Për vite me radhë, mijëra qytetarë kanë grumbulluar dyshime, pakënaqësi dhe pyetje që nuk artikuloheshin publikisht. Marshi i solli këto ndjenja në sipërfaqe.

Ai vuri në lëvizje subkoshiencën kolektive të qytetarëve, duke i detyruar të përballen me pyetjen që prej kohësh shmangej: a po tradhtohet fryma mbi të cilën u ndërtua projekti socialist?

Sepse problemi nuk është thjesht qeverisja. Problemi është perceptimi se Partia Socialiste po largohet nga karakteri i saj përfaqësues dhe po afrohet gjithnjë e më shumë me një model klientelist, ku aksesin ndaj pushtetit nuk e përcakton merita, por afërsia me qendrat ekonomike dhe oligarkike të ndikimit.

Kur qytetari i zakonshëm e ndien se institucionet janë bërë të paarritshme; kur administrata perceptohet si e mbyllur; kur procedurat zëvendësohen nga ndërmjetësit dhe kur vendimmarrja largohet nga publiku, atëherë krijohet një hendek i rrezikshëm mes shtetit dhe shoqërisë.

Ky hendek nuk mund të mbushet me propagandë.

Ai mund të mbushet vetëm me reflektim.

Prandaj, figura e Elisa Spiropalit nuk duhet parë si simbol i një fraksioni apo i një beteje personale. Rëndësia e saj qëndron në faktin se ajo përfaqëson një alarm të brendshëm. Një kujtesë se sistemi ende prodhon mekanizma vetëkritikë dhe se brenda tij ekziston vetëdija për simptomat që po shfaqen.

Shqipërisë nuk i duhet një kult i ri individi. As një kult i vjetër individi.

Asaj i duhet kalimi drejt kultit të personalitetit në kuptimin më fisnik të fjalës: respekti për karakterin, integritetin, aftësinë dhe përgjegjshmërinë publike. Jo adhurimi i liderit, por vlerësimi i meritës. Jo centralizimi i pushtetit, por forcimi i institucioneve.

Nëse Marshi Shqiptar do të mbetet vetëm një episod proteste, atëherë ai do të shuhet si shumë ngjarje të tjera. Por nëse ai shndërrohet në një moment reflektimi kombëtar për gjendjen e demokracisë, për raportin midis partive dhe qytetarëve, për rolin e institucioneve dhe kufijtë e pushtetit, atëherë do të ketë prodhuar diçka shumë më të rëndësishme se një reagim politik.

Do të ketë prodhuar ndërgjegjësimin nga ku nis çdo ndryshim i madh historik./bulevardnews