Pa podium, pa askënd në krah dhe krejt i vetëm, Edi Rama festoi 35-vjetorin e Partisë Socialiste, pothuajse siç drejton prej vitesh partinë dhe qeverinë: i vetëm në qendër të skenës, me të tjerët në rolin e spektatorëve. Në Sheshin “Italia”, përballë një audience në këmbë, kryeministri mbajti një fjalim të gjatë ku tema dominuese ishte investimi në Zvërnec dhe mesazhi i tij se projekti do të realizohet, ndërsa kriteri i vetëm do të jetë cilësia.
Por ndërsa fliste për të ardhmen e zhvillimit, Rama nuk mund të anashkalonte protestën që po zhvillohej vetëm pak metra më tutje. Ai akuzoi ata që, sipas tij, po hedhin baltë mbi Shqipërinë dhe turizmin, duke përfshirë jo vetëm kundërshtarët politikë brenda vendit, por edhe zëra nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në shënjestër përfunduan si opozita e vjetër, ashtu edhe ajo e re.
Në një moment, kryeministri u përpoq ta vendoste debatin në një plan më të gjerë, duke argumentuar se fakti që Shqipëria është bërë pjesë e vëmendjes së medias ndërkombëtare lidhet me një përplasje shumë më të madhe se vetë Shqipëria dhe se vendi nuk ka pse të bëhet pjesë e kësaj beteje.
Edhe pse me një hije të rëndë në fytyrë, Rama pranoi se protesta që prej ditësh zhvillohet në Tiranë është më etike dhe më e bukur se protestat e dikurshme të Partisë Demokratike. Madje, duke iu referuar protestuesve që mblidhen çdo mbrëmje pak metra larg Kryeministrisë, ai tha se ishte i gatshëm të bisedonte edhe me “revolucionarët”.
Por ndërsa foli gjatë për qeverisjen, investimet dhe kundërshtarët, kryeministri nuk gjeti shumë kohë për të folur për vetë Partinë Socialiste. Vetëm në fund ai përmendi nevojën për reflektim, për analizë dhe përmirësim. Një thirrje që u dëgjua nga një audiencë e gatshme të duartrokiste liderin, por jo domosdoshmërisht të reflektonte mbi fjalët e tij.
Dhe ndoshta ky ishte paradoksi më i madh i një feste që përkonte me 35-vjetorin e Partisë Socialiste. Ndërsa pak metra më tutje zhvillohej një protestë kundër tij, Rama nuk gjeti forcën të dërgonte një mesazh qetësues për mbështetësit e tij të mbledhur në Sheshin “Italia”. Përkundrazi, zgjodhi të vazhdonte betejën politike me kundërshtarët e vjetër dhe të rinj.
Në fund mbeti vetëm fotografia. Një lider i vetëm në qendër të skenës, pa podiumin e mbushur me figura politike që dikur ndanin drejtimin e partisë, pa bashkëpunëtorët që dikur përfaqësonin rryma, ide apo pesha politike brenda së majtës shqiptare. Në vitin e trembëdhjetë të pushtetit, Edi Rama duket se vulosi publikisht modelin e tij të drejtimit: një parti që identifikohet gjithnjë e më shumë me një njeri të vetëm.
Dhe kjo ngre një pyetje që 35-vjetori nuk arriti t’i përgjigjej: çfarë ka mbetur sot nga Partia Socialiste që dikur krenohej me ekipin, forumet, debatet dhe figurat e saj drejtuese? Çfarë ka mbetur nga partia që dikur kishte podiume të mbushura me njerëz që bashkëqeverisnin, bashkëvendosnin dhe pretendonin se mbronin një ideologji të majtë?
Sepse kur në skenë mbetet vetëm lideri, festa e partisë pushon së qeni festë e një force politike. Ajo kthehet në festën e njeriut që e ka shndërruar partinë në pasqyrën e vet. Dhe në 35-vjetorin e saj, Partia Socialiste dukej më pak si një organizatë politike dhe më shumë si zgjatimi i vullnetit të një njeriu të vetëm./vna







