Ballina Aktualitet Saga e çuditshme e Zvërnecit/ Qeveria miratoi dhe shfuqizoi 3 herë lejen...

Saga e çuditshme e Zvërnecit/ Qeveria miratoi dhe shfuqizoi 3 herë lejen për resortin

71
0

Një kalvar i çuditshëm dy vjeçar, ku qeveria ka miratuar disa leje për resortin e Zvërnecit dhe më pas i ka anulluar ato. është kjo historia e projektit në Zvërnec, për të cilin deri më tani ka patur 5 vendime nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit.

Kapitali zbardh të plotë kronologjinë e vendimeve, e cila është një mish mash, lejesh të miratuara dhe më pas të shfuqizuara. Madje në disa raste ka patur edhe shfuqizim të shfuqizimeve.

Sipas historikut të vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar të Territorit, procedurat për projektin në Zvërnec kanë nisur në shtator të vitit 2024 dhe kanë kaluar në disa faza, me vendime që janë miratuar, shfuqizuar dhe zëvendësuar nga vendime të reja.

Lejet
Më 25 shtator 2024, me Vendimin nr. 19, KKT shqyrtoi kërkesën për leje zhvillimi për objektin “Resort Turistik” në Zvërnec, me subjekt zhvillues shoqërinë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k.

Në këtë mbledhje projekti nuk u miratua dhe KKT vendosi që ai të rikthehej për shqyrtim sipas rekomandimeve të dhëna gjatë mbledhjes. Pas rishikimit, dy javë më pas, më 4 tetor 2024, me Vendimin nr. 09, KKT miratoi lejen e zhvillimit për objektin “Resort Turistik” në Zvërnec. Ky vendim qëndroi në fuqi deri më 18 prill 2025.

Ndërkohë, më 28 janar 2025, me Vendimin nr. 39, u miratua një leje ndërtimi për objektin “Resort turistik në Gadishullin e Zvërnecit”, konkretisht për blloqet rezidenciale F1V2, F1V3 dhe F1R6 në zonën Pishë Poro-Nartë. Për këtë vendim dhe materialet shoqëruese nuk është bërë ende zbardhja e dokumentacionit. Por pak kohë më vonë vetë kompania dorëzoi në KKTU një deklaratë përmes së cilës u tërhoq nga aplikimi për këtë leje, edhe pse ajo ishte miratuar.

Më 18 prill 2025, me Vendimin nr. 12, KKT shfuqizoi Vendimin nr. 09 të datës 4 tetor 2024 dhe miratoi një leje të re zhvillimi për objektin “Resort turistik” në Zvërnec. Edhe për këtë vendim dhe materialet bashkëlidhur nuk është bërë zbardhja publike. Por një vit më vonë, më 30 mars 2026, KKT e shfuqizoi edhe këtë leje zhvillimi duke miratuar një të re.

Kjo është leja që aktualisht mbetet në fuqi dhe i referohet projektit “Zvërnec Peninsula – Kompleks multifunksional, banimi, shërbimesh, hotelerie, rekreacion, marina, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 kate”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k. Edhe për këtë vendim dokumentacioni dhe materialet bashkëlidhur nuk janë zbardhur ende.

Më pas, më 29 prill 2026, me Vendimin nr. 05, u miratua leja e ndërtimit të infrastrukturës për kryerjen e punimeve të rrethimit dhe punimeve përgatitore në funksion të ndërtimit të rrugëve të aksesit brenda pronës. Edhe ky vendim mbetet në fuqi, ndërsa dokumentacioni shoqërues nuk është bërë ende publik.

Pra, aktualisht për Zvërnecin janë në fuqi dy vendime: Vendimi nr. 41, datë 30.03.2026, për lejen e zhvillimit të projektit “Zvërnec Peninsula”, dhe Vendimi nr. 05, datë 29.04.2026, për lejen e ndërtimit të infrastrukturës së rrethimit dhe rrugëve të aksesit.

Ky është një lëmsh vendimarrjesh, që ka krijuar edhe më shumë konfuzion, teksa kryeministri ka deklaruar disa herë se për Zvërnecin nuk ka projekt fare./kapitali