Një incident është shënuar përpara Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, ku dy automjeteve me targa diplomatike iu është vënë flaka.
Në pranga u vu autori, një 44-vjeçar nga Shkupi, i cili është kapur nga kamerat teksa hedh lëndë djegëse tek automjetet dhe iu vë flakën.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut e dënoi ashpër incidentin, duke theksuar se veprime të tilla nuk kanë vend në një shtet demokratik.
“Qeveria dënon pa mëdyshje vandalizmin dhe zjarrvënien e papranueshme të automjeteve diplomatike në një zonë ngjitur me Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në Shkup. Veprime të tilla përbëjnë një sulm ndaj parimeve të sigurisë, marrëdhënieve diplomatike dhe të drejtës ndërkombëtare dhe nuk kanë vend në një shtet demokratik. Si qeveri, duam të dërgojmë një mesazh të qartë se çdo përpjekje për të provokuar tensione, për të përhapur urrejtje ose për të prishur sigurinë do të ndëshkohet me ashpërsinë më të madhe”, tha qeveria.
Ministria e Jashtme bullgare dënoi ashpër zjarrvënien, duke theksuar se ky është një akt i hapur agresioni, i nxitur nga retorika agresive politike.
“Ky akt i hapur agresioni kërcënon shëndetin dhe jetën e punonjësve të ambasadës sonë në Shkup. Pa ndërhyrjen në kohë të konsullit bullgar me një fikës zjarri, dëmi nga kjo zjarrvënie e qëllimshme mund të kishte qenë dukshëm më i madh. Ne këmbëngulim për drejtësi të menjëhershme dhe të drejtë në këtë rast. Ky sulm i fundit kundër Bullgarisë dhe bullgarëve është rezultat i retorikës agresive politike, nxitjes së urrejtjes dhe mungesës së një përgjigjeje adekuate nga institucionet (e Maqedonisë së Veriut) ndaj incidenteve të mëparshme të ngjashme. Shteti bullgar do të vazhdojë të përdorë të gjitha praktikat e vendosura për të kundërshtuar përpjekjet për të krijuar një atmosferë frike për bullgarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut“, thuhet në deklaratë.







