Ballina Aktualitet Vetëdorëzohet Erjon Rama, SPAK e lidh me takimet e Arubës dhe Monakos...

Vetëdorëzohet Erjon Rama, SPAK e lidh me takimet e Arubës dhe Monakos të grupit të Artur Shehut

102
0

Vetëdorëzohet në Policinë e Tiranës Erjon Rama, pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Artur Shehu, që u godit pak ditë më parë nga SPAK. Ndaj tij, Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e arrestit në shtëpi për akuzat e pastrimit të parave dhe grupit kriminal.

Erjon Rama është vëllai i Adrian Ramës, ndaj të cilit është caktuar masa e arrestit në burg, pasi rezulton po ashtu pjesë e grupit të Shehut, një prej të besuarve të tij.

“Erion Rama është identifikuar brenda një automjeti, në Monako, së bashku me Artur Shehun dhe Adrian Ramën. Ky identifikim është kryer në kuadër të disa takimeve të zhvilluara në Monako lidhur me importimin e paligjshëm të lëndëve narkotike. Automjeti me të cilin ai identifikohet është i njëjti me të cilin Artur Shehu dhe Adrian Rama kanë udhëtuar më pas drejt ishullit të Majorkës”, thuhet në dosje.

Nga autoritetet e Spanjës janë paraqitur të dhëna në lidhje me personat nën hetim, Artur Shehu, Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Mehmeti, për shkallën e pjesëmarrjes së tyre në takimet e ndryshme të konstatuara gjatë hetimit, me theks të veçantë te takimet e zhvilluara në ishullin Aruba dhe në Monako, të cilat janë të lidhura ngushtësisht me operacionin e trafikut të drogës.

Adrian Rama ka marrë pjesë në takimin në Aruba bashkë me Artur Shehun. Në dosje thuhet se Adrian Rama ka marrë pjesë edhe në takimin në Majorka me shtetasin Bashkim Osmani, Artur Shehun, Arben Ismailaj, etj.