Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, në letrën e ftesës drejtuar liderëve të bllokut europian ka përmendur samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat, duke theksuar se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë të re dhe më dinamike. Sipas tij, ekziston një “moment i ri” dhe një “hov i ripërtërirë” në këtë proces. BE-ja mban këtë vjeshtë një diskutim strategjik për zgjerimin dhe reformat, gjë që pritet të konfirmohet në dokumentin përfundimtar të samitit të krerëve të unionit në Bruksel.
“Në dritën e vrullit të ri në procesin e zgjerimit dhe duke rikujtuar Deklaratën e Granadës, Këshilli Evropian do të zhvillojë në takimin e tetorit 2026 një diskutim strategjik mbi zgjerimin dhe reformat”, thuhet në draft-konkluzionet e takimit të udhëheqësve, të cilat i ka parë Radio Europa e Lirë.
Pritet që diskutimi i ardhshëm strategjik të përqendrohet në qasjen e re ndaj zgjerimit, e cila ende nuk është formalizuar, por tashmë përmendet në të paktën tri dokumente të publikuara gjatë javëve të fundit. Propozimin e parë e paraqiti kancelari gjerman Friedrich Merz në fund të majit, kur ua dorëzoi institucioneve evropiane të ashtuquajturin non-paper.
Në të, ai hodhi idenë që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin statusin e vëzhguesit në BE, ndërsa Ukraina të fitojë statusin e anëtares së asociuar pa të drejtë vote.







