Ballina Kosovë Kurti mbledh zyrtarët publikë: Shërbimi ndaj qytetarëve është mbi politikën

Kurti mbledh zyrtarët publikë: Shërbimi ndaj qytetarëve është mbi politikën

66
0

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi sot pritjen tradicionale për zyrtarët publikë të Zyrës së Kryeministrit në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, ku i falënderoi për angazhimin dhe kontributin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.

Në fjalën e tij, Kurti vlerësoi punën e administratës publike, duke theksuar se shteti po vazhdon të funksionojë dhe të shënojë progres në fusha të ndryshme pavarësisht sfidave politike dhe procedurale.

Ai përmendi zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, mjedisin dhe sportin si sektorë që po ecin përpara falë angazhimit të zyrtarëve publikë në institucionet shtetërore.

Në prag të Ditës së Shërbimit Publik, Kurti theksoi se politika duhet të jetë shërbim ndaj qytetarëve dhe se fokusi i institucioneve duhet të mbetet puna, efikasiteti dhe zbatimi i vullnetit qytetar.

Kryeministri në detyrë u bëri thirrje zyrtarëve që të rrisin bashkëpunimin dhe komunikimin mes tyre, duke theksuar se sfidat tejkalohen më lehtë përmes punës ekipore dhe ndarjes së njohurive.

Në fund, ai i inkurajoi punonjësit e administratës që të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në shërbim të qytetarëve, duke u uruar njëkohësisht punë të mbarë dhe pushime të këndshme gjatë sezonit veror.