Ballina Aktualitet Asfalti i florinjtë/ Bashkia e Tiranës, 900 mijë euro/km për ‘lyerjen’ e...

Asfalti i florinjtë/ Bashkia e Tiranës, 900 mijë euro/km për ‘lyerjen’ e rrugës dytësore të autostradës

112
0

Aksi dytësor i autostradës Tiranë-Durrës, që kalon nga spitali Hygeia deri te “Megatek”, prej kohësh ka nevojë për ndërhyrje në shtresën asfaltike. Gjendja e saj u përkeqësua akoma më shumë, pasi iu desh të përballonte një fluks të shtuar, i cili u imponua nga punimet në aksin rrugor që lidh kryeqytetin me fqinjin e saj bregdetar.

Pjesë të ndryshme të rrugës rreth 7 kilometra të gjatë kanë humbur asfaltin, ndërsa paretet anësore kanë nevojë për ndërhyrje rehabilituese. Megjithatë, në përgjithësi, aksi rrugor nuk ka nevojë për sistemime thelbësore. Gjerësia e saj është optimale për lëvizjen e mjeteve në të dy senset. Aksi kalon në rrugë fushore, në pjesën më të madhe të drejtë dhe vetëm me një kthesë që nuk përbën aspak problem për ndërhyrje të thelluar.

Pra, me pak vullnet të mirë dhe me një kosto jo shumë të lartë, kjo rrugë dytësore mund të sillet në parametra optimalë, duke realizuar një ndërhyrje sipërfaqësore vetëm në shtresat asfaltike.

Këtë ka menduar së fundmi Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga e komanduara Anuela Ristani, e cila kryen funksionet pas arrestimit të kryebashkiakut në detyrë, Erion Veliaj.

Pas shumë vitesh, është menduar që të sistemohet asfalti dhe të bëhet një shtresë e re. Kjo duket se është një zgjidhje e mirë. Por, projekte të tilla, ku autoritetet publike ndërthuren dëshira e qytetarëve për sistemin e rrugës me nevojën për tendera të fryrë, nuk janë një gjë aspak e re në vendin tonë.

Pikërisht, në këtë frymë duket se ka vepruar edhe administrata lokale e Tiranës.

Asfalti i florinjtë

Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës ka shpallur tenderin me objekt “Rikonstruksioni i rrugës Dytësore Tiranë-Durrës (Hygea-Megatek)”. Fondi limit për këtë tender është në shumën 595 milionë lekë të reja ose diçka më shumë se 6 milionë euro.

Në dokumentat e procedurës tenderuese thuhet se gjatësia e aksit që do të asfaltohet është rreth 6.8 kilometra. Me një llogari të thjeshtë, kostoja për asfaltimin e një kilometri të kësaj rruge dytësore është rreth 900 mijë euro, një vlerë në dukje shumë e fryrë për një sistemin rrugë që nuk ka thuajse aspak vështirësi.

Këtë e thonë edhe vetë zyrtarët e Bashkisë së Tiranës, në dokumentat e tenderit.

“Rruga përgjithësisht, ruan një uniformitet përsa i përket gjerësisë së saj. Në situatën ekzistuese, gjerësia e matur varion nga 6.5-7.2m. Gjerësia e rrugës dikton ndarjen e korsive në 3.25 metra secila, e cila është një gjerësi e mjaftueshme për kalimin e automjeteve me një shpejtësi të lejuar 40km/orë”.

Image

Në foto: Pjesë nga dokumentat e tenderit 6 mln euro

Ky shpjegim tregon qartësisht se aksi rrugor nuk ka nevojë për ndërhyrje të thelluara, as për zgjerim apo veprime të tjera në tërësinë e saj.

Më tej, në dokumentat e tenderit, thuhet: “Nga ana tjetër, trotuaret kanë gjerësi të mjaftueshme për kalimin e lirë të banorëve të zonës”. Pra, qartësisht, aksi rrugor nuk ka nevojë për ndërtimin e trotuareve, të cilat mund të rrisin kostot e ndërhyrjeje, por ka nevojë vetëm për disa ndërhyrje periferike asfaltike edhe tek ato.

Pra, gjithçka çfarë lexohet në dokumentat e tenderit 6 milionë euro lidhet thjesht dhe vetëm me asfaltimin e karrexhatës së këtij aksi rrugor dytësor më pak se 7 kilometra./ Bold News