Nga Taulanda Jupi
Shqiptarët protestuan dje dhe 21 ditë me radhë kundër Edi Ramës dhe kundër Sali Berishës.
Kundër një sistemi të kapur politik që ka mbyllur çdo mundësi të qarkullimit të elitës politike.
Të freskojmë pak kujtesën qoftë atyre që thonë Edi Rama ka votat e qytetarëve, qoftë të atyre që luajnë rolin e opozitës në parlament. Pazarxhinjtë e politikës
Më 24 korrik 2024, me 104 vota, Edi Rama dhe Sali Berisha me pazarxhinjtë e tyre bashkuan votat për të miratuar Kodin e ri Zgjedhor.
Sot, Partia Socialiste pretendon se ka fituar 83 mandate. Por ky nuk është i gjithë realiteti politik. Në fakt, 11 prej këtyre mandateve janë produkt i një pazari politik të bërë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës përmes një kodi zgjedhor që u ndërtua për të mbrojtur sistemin, jo për ta hapur atë.
Ato 11 mandate u fituan në kurriz të pluralizmit, të konkurrencës së ndershme dhe të hapjes së sistemit ndaj alternativave të reja politike. U fituan në kurriz të qytetarëve që kërkojnë përfaqësim të vërtetë.
Prandaj protesta e sotme nuk është thjesht kundër një qeverie. Është kundër një klase politike që, sa herë preken interesat e saj, harron ndarjet partiake dhe bashkohet për të ruajtur pushtetin politik qoftë atë në qeveri, qoftë atë në opozitë.
Kjo është arsyeja pse qytetarët nuk thërrasin më vetëm kundër Ramës. Ata protestojnë kundër një sistemi që prodhon marrëveshje në kurriz të demokracisë, që mbyll dyert për të rinjtë, për alternativat e reja dhe për çdo zë të pavarur.
Shqipëria ka krizë sistemi.
Një sistem që është bërë peng i një pakice politike, i dyshes Rama -Berisha dhe atyre deputetve që ngrejnë katonat e bashkëpunojnë sa herë duhet të mbrojnë privilegjet e veta dhe përçahet vetëm kur duhet të ndajë pushtetin.
Prandaj qytetarët dalin në shesh.
Jo për të zëvendësuar një emër me një tjetër, por për t’i dhënë fund një modeli politik që ka marrë peng demokracinë shqiptare.
Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për një pazar të ri. Ka nevojë për një fillim të ri.







