Ballina Aktualitet Afera Partizani/ Përgjegjësja juridike që dha ‘ok’ për privatizimin: Letrat ishin në...

Afera Partizani/ Përgjegjësja juridike që dha ‘ok’ për privatizimin: Letrat ishin në rregull! Më pas u punësua…

71
0

Në gjyqin për aferën Partizani dëshmoi edhe Tetis Lubonja, ish-përgjegjësja që firmosi për privatizimin e klubit shumësportësh. Vetë Lubonja, në dëshminë e dhënë në SPAK për këtë çështje ka pranuar që “Partizani” ishte ndër dosjet e para që iu dha Agjencisë së Kthimit të Pronave për të punuar. SPAK thotë se kjo Agjenci ka shqyrtuar me shpejtësi të pajustifikuar, kërkesat e pesë familjeve të njohura pronare, në krahasim me kërkesat e qytetarëve të tjerë, pasur parasysh ngarkesën dhe volumin e dosjeve që kishte.

Gjatë dëshmisë së saj në GJKKO, Lubonja tregoi se në vitin 2006 kishte nisur punë pranë Agjencisë së Kthimit të Pronave, ku iu caktua të merrej me shqyrtimin e dosjeve të pronarëve. Ajo deklaroi se kishte zbatuar procedurat ligjore dhe se detyrat i merrte nga eprorët, ndërsa verifikimet në terren kryheshin nga specialistët përkatës.

“Detyrat i merrja nga eprorët. Kam zbatuar ligjin dhe kam ndjekur të gjitha procedurat. Dosja qëndronte në dy sektorë, juridik dhe grafik. Këto territore kanë qenë të njohura si prona të ish-pronarëve. Janë ndjekur procedurat ligjore dhe kemi dhënë vlerësimin ligjor”, dëshmoi ajo.

Në dosjen e SPAK, evidentohet se grupi i punës i ngarkuar me shqyrtimin e dosjeve të pesë familjeve të njohura pronare, përbehej nga tre persona, ku të paktën dy prej tyre konstatohet se kanë lidhje me trashëgimtarët e familjeve të njohura pronare. Konkretisht, Tetis Lubonja e cila përveç lidhjes miqësore dhe njohjeve me Jamarbër Malltezi dhe Rudina Llagami, rezulton edhe të ketë qenë e punësuar disa vite më pas pranë shoqërisë Kontakt sh.p.k. Këtë fakt vetë Lubonja e pranoi edhe në dëshminë e saj në GJKKO, ku deklaroi se disa vite pas punës në Agjencinë e Kthimit të Pronave kishte punuar për rreth 6 muaj me kohë të pjesshme si shefe juridike pranë kompanisë Kontakt, që ngriti kullat në ish-klubin partizani.

“Kam punuar disa muaj, 6 muaj part-time te ‘Kontakt’”, tha ajo.

Megjithatë, para gjykatës Lubonja mohoi të ketë pasur presione apo ndërhyrje nga familjet përfituese gjatë procesit të shqyrtimit të dosjeve.

“Nga ish-pronarët nuk kemi pasur presione, as komunikime fare. S’kam asnjë kontakt me Berishën, veç në televizor e kam parë”, deklaroi ajo, duke këmbëngulur se dokumentacioni për pronat ishte i rregullt.

Proçedura për kthimin e pronave filloi më 17 janar 2007, dhe Tetis Lubonja dëshmoi në SPAK se dosjet e pronave për pesë familje u trajtuan me prioritet, duke u shqyrtuar për një periudhë prej rreth dy muajsh nga fillimi i procedurës.