Pushimet verore janë bërë të papërballueshme për çdo të pestin qytetar në Gjermani. Sipas të dhënave të publikuara të martën, 21 për qind e popullsisë së këtij shteti nuk kanë mundësi financiare të shkojnë në një pushim njëjavor.
Zyra Federale e Statistikave bëri të ditur se kjo përqindje përkthehet në rreth 17.3 milionë persona, raporton dpa, përcjellë kp.
Më të prekurit janë prindërit vetushqyes. Sipas statistikave, 39 për qind e tyre nuk mund të përballojnë shpenzimet e një pushimi.
Megjithatë, krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian, gjermanët janë në një pozitë më të mire se shumë shtetas të vendeve tjera të Unionit. Në nivel të Bashkimit Evropian, 28 për qind e qytetarëve nuk mund të përballojnë një pushim njëjavor, sipas të dhënave të Eurostatit.
Rumania shënon përqindjen më të lartë në Evropë, me 61 për qind të qytetarëve që nuk kanë mundësi të shkojnë me pushime.
Niveli më i ulët është regjistruar në Luksemburg me 11 për qind, Suedi me 12 për qind dhe Holandë me 13 për qind.







