Franca ka regjistruar një fitore bindëse 3-0 ndaj Irakut në një ndeshje që do të mbahet mend gjatë për dramën e saj, pasi u ndërpre për rreth 2 orë për shkak të kushteve të vështira klimaterike në Filadelfia.
Përkundër ndërprerjes së gjatë për shkak të rrufeve, “Gjelat” e nisën takimin me ritëm të lartë dhe gjetën avantazhin që në minutën e 14-të falë Kylian Mbappe, i cili shënoi në ndeshjen e tij të 100-të me fanellën e përfaqësueses.
Pas pezullimit që zgjati gati dy orë për arsye sigurie, pasi stacioni meteorologjik konfirmoi rrezikun e rrufeve në perimetrin e stadiumit, takimi rinis rreth orës 02:00 me kohën tonë lokale. Franca vazhdoi dominimin e saj dhe në minutën e 54-të, Kylian Mbappe realizoi golin e tij të dytë personal, duke arritur kuotën e 16 golave në Kampionatet Botërore. Me këtë shifër, ai barazoi legjendën gjermane Miroslav Klose, ndërsa aktualisht rekordi mbahet nga Lionel Messi me 18 gola të shënuar.
Në minutat në vijim, dominimi francez u kurorëzua edhe me një gol nga Ousmane Dembele, i cili vulosi fitoren përfundimtare 3-0. Ndeshja, e cila kaloi nga stuhitë e natyrës te spektakli në fushë, tregoi edhe një herë forcën e Francës në këtë Botëror, në një mbrëmje që përveç tre pikëve, shënoi edhe një tjetër faqe historike në statistikat e golashënuesve të turneut.







