Tregu i sigurimeve e mbylli periudhën janar-maj 2026 me një ritëm të qëndrueshëm rritjeje, por ajo që bie më shumë në sy është diferenca mes zgjerimit të të ardhurave nga primet dhe rritjes së pagesave të dëmeve. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dëmet e paguara bruto u rritën me 15.86% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose më shumë se tri herë më shpejt sesa primet e shkruara bruto, të cilat u zgjeruan me 4.90%.
Gjatë pesë muajve të parë të vitit, primet e shkruara bruto arritën në rreth 10.57 miliardë lekë, ndërsa dëmet e paguara bruto u ngjitën në rreth 3.83 miliardë lekë. Paralelisht, tregu regjistroi rritje edhe në aktivitetin operacional, me numrin e kontratave të sigurimit që u shtua me 4.92% dhe numrin e dëmeve të paguara me 6.28%.
Megjithëse primi mesatar bruto i shkruar mbeti pothuajse i pandryshuar, me një rënie minimale prej vetëm 0.02%, dëmi mesatar i paguar u rrit ndjeshëm me 11.12%, duke reflektuar një kosto më të lartë për kompanitë e sigurimeve në përmbushjen e detyrimeve ndaj të siguruarve.
Tregu vijon të dominohet nga sigurimet Jo-Jetë, të cilat përbëjnë 90.56% të totalit të primeve. Ky segment realizoi rreth 9.57 miliardë lekë prime të shkruara bruto, me rritje prej 4.89%, ndërsa dëmet e paguara arritën në 3.56 miliardë lekë, duke u rritur me 18.77%.
Brenda këtij segmenti, sigurimet e detyrueshme motorike mbeten produkti kryesor i tregut, me rreth 65.9% të portofolit Jo-Jetë. Primet në këtë kategori arritën në 6.31 miliardë lekë, me rritje prej 4.35%, ndërsa dëmet e paguara u rritën në 2.42 miliardë lekë ose 15.6% më shumë se një vit më parë. Numri i kontratave dhe i dëmeve të paguara u rrit me ritme më të moderuara, respektivisht 1.54% dhe 2.52%.
AMF vlerëson se ulja e mëtejshme me 2.12% e primit mesatar të policës së detyrueshme MTPL është rezultat i vijimit të zbatimit të sistemit bonus-malus, bazuar në historikun e dëmeve të drejtuesve të mjeteve. Ndërkohë, produktet “Kartoni Jeshil” dhe sigurimi kufitar kanë shënuar rënie, si pasojë e lehtësimit të lëvizjes së automjeteve drejt vendeve kufitare të CEFTA-s.
Edhe sigurimet vullnetare kanë dhënë një kontribut pozitiv në zgjerimin e tregut. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në 3.27 miliardë lekë, me rritje prej 5.94%, ndërsa dëmet e paguara u rritën edhe më fort, me 26.08%, duke arritur në rreth 1.14 miliardë lekë.
Sipas AMF-së, rritja e primeve është mbështetur kryesisht nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, si edhe nga sigurimet e përgjegjësisë civile, të cilat së bashku kanë dhënë rreth 55% të kontributit në zgjerimin e këtij segmenti. Nga ana tjetër, rritja e pagesave të dëmeve është ndikuar kryesisht nga sigurimet kundër zjarrit, forcave të natyrës dhe dëmtimeve të tjera në pronë.
Edhe segmenti i sigurimeve të Jetës ka vijuar të zgjerohet, ndonëse pesha e tij mbetet modeste, me 9.44% të tregut. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 1 miliard lekë, me rritje prej 5.5%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 3.46%. Dëmet e paguara u rritën me 5.47%, ndërsa numri i tyre u zgjerua me 24.37%, kryesisht si rezultat i kontratave “Flexi Plan” dhe produkteve të lidhura me kreditimin. /ekofin.al







