Ballina Kronika Skandal në Burgun e Durrësit, efektivi tenton të fusë lëndë narkotike për...

Skandal në Burgun e Durrësit, efektivi tenton të fusë lëndë narkotike për një të paraburgosur

70
0

Një punonjës i Policisë së Burgjeve është kapur në flagrancë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, pasi dyshohet se ka tentuar të fusë lëndë narkotike për një person të paraburgosur. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rasti u zbulua në kuadër të analizës së riskut të kryer ndaj punonjësve të evidentuar me prirje për përfshirje në futjen e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit, si dhe falë informacionit të siguruar në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Menjëherë pas konstatimit të rastit, efektivi i Policisë së Burgjeve u pezullua nga detyra, ndërsa gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi tjetër e dyshuar lënde narkotike.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve të zhvilluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier, autoritetet zbuluan dhe sekuestruan dy telefona celularë dhe një fishë karikimi në ambientet e paraburgimit. Deri në këto momente nuk është identifikuar personi përgjegjës për futjen e tyre në institucion.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur se të dyja rastet po ndiqen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, ndërsa vijojnë veprimet procedurale dhe hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.