Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 11 persona, pasi dyshohen se gjatë tubimeve të 22 dhe 23 qershorit kanë penguar lëvizjen e lirë duke ndryshuar pa autorizim vendndodhjet e protestave në kryqëzime kyçe të kryeqytetit.
Mësohet se, personat në fjalë, të hetuar në gjendje të lirë, akuzohen se orientuan turmën në akse me fluks të lartë qarkullimi si bulevardi “Zogu I” dhe Rruga e Kavajës.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i Policisë:
“Tiranë/ Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në lidhje me tubimet e zhvilluara më datat 22 dhe 23 qershor 2026, në Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar penalisht 11 shtetas, të dyshuar të përfshirë në veprime që cenojnë rendin dhe qetësinë publike.
Konkretisht, u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit: D. G., 50 vjeç, I. D., 55 vjeç, E. E., 32 vjeç, E. B., 29 vjeç, V. D., 30 vjeç, E. Z., 26 vjeç, Xh. P., 27 vjeç, B. K., 36 vjeç, D. B., 32 vjeç, Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë orientuar dhe zhvilluar tubimin në zona të ndryshme prej atyre të njoftuara zyrtarisht, konkretisht në: kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”; kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës; si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”.
Si pasojë, në këto akse me fluks të lartë lëvizjeje të automjeteve dhe qytetarëve, është penguar lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia.







