Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, tha të premten se Shqipëria është kthyer në një “lavatriçe të pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit”, duke akuzuar qeverinë se, sipas saj, favorizon ndërtimet që financohen me para që nuk burojnë nga ekonomia reale.
Sipas Xhixhos, lejet e ndërtimit u jepen klientëve të pushtetit, ndërsa bizneset e ndershme përballen me padrejtësi dhe mungesë konkurrence. Ajo pretendoi gjithashtu se rreth 12 miliardë euro qarkullojnë jashtë sistemit bankar dhe investohen në resorte, kazino dhe projekte që, sipas saj, cenojnë interesin publik.
Deputetja e PL-së iu referua edhe të dhënave të Altax, duke thënë se korrupsioni i kushton ekonomisë shqiptare rreth 1.115 miliardë euro në vit, ose nga 3.1% deri në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas saj, nëse situata vazhdon, humbjet mund të arrijnë deri në 4.8 miliardë euro deri në vitin 2030.
Në deklaratën e saj, Xhixho akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbron korrupsionin dhe klientelën, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen, sipas saj, kundër kapjes së shtetit, korrupsionit dhe modelit që varfëron vendin.







