Qytetarët u mblodhën edhe këtë mbrëmje në ditën e 27-të të protestës kundër qeverisë. Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej”, prej nga protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë me thirrjet “Edi Rama ka mbaru”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Edi Rama jep dorëheqjen”.
Gjatë protestës u rilexuan pesë kërkesat kryesore të lëvizjes qytetare: dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike jopartiake me mandat 12-mujor, reformë e plotë kushtetuese që do të miratohet me referendum, ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe në ligjin për financimin e partive politike, si edhe kufizimi i mandateve të kryeministrit në jo më shumë se dy. Protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, “Paketën e Maleve” dhe ligjin për Investimet Strategjike.
Po këtë të premte, Grupi Koordinues i Protestës u dërgoi një letër zyrtare ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve diplomatike të vendeve perëndimore të akredituara në Shqipëri, ku prezanton zyrtarisht kërkesat e protestuesve dhe u bën thirrje të mbështesin një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të situatës politike në vend.
Letra është firmosur nga Entela Koja, Arben Kola, Megan Balaj, Edviol Kulluri, Luçjana Kokaj, Gentjan Progni, Gjon Ndoj, Etleva Merko, Everest Bardhi, Përparim Gjeka, Mevlan Mata, Ilir Xhemalaj dhe Marjen Rama, të cilët përbëjnë Grupin Koordinues të Protestës.
Gjatë tubimit mbajtën fjalën disa protestues, të cilët përsëritën kërkesat e lëvizjes dhe bënë thirrje për vijimin e protestave edhe në ditët në vijim. Në shesh ishin të pranishëm edhe familje me fëmijë, ndërsa protestuesit shfaqën pankarta me mesazhe që lidhen me zhvillimet politike dhe çështje të ndryshme kombëtare.
Në përfundim të tubimit para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në rrugët kryesore të Tiranës, duke mbyllur edhe ditën e 27-të të protestës qytetare.







