Më 26 qershor Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka dalë me vendimin se Federata Shqiptare e Volejbollit ka kryer diskriminim ndaj volejbollistes Nayara Estephanie Goulart Ferreira, pasi e detyroi atë t’i nënshtrohej një procedure të verifikimit të gjinisë.
Dea Nini, avokate për të drejtat e njeriut, njëkohësisht dhe avokate e sportistes, u shpreh se ky vendim është me rëndësi jo vetëm për volejbollisten në fjalë, por edhe për praktikën e së drejtës sportive në vend.
“Ky vendim nuk ka rëndësi vetëm për Nayaran. Ai dërgon një mesazh të qartë se edhe federatat sportive janë të detyruara të respektojnë të drejtat themelore të njeriut”, tha avokatja Dea Nini.
“Asnjë sportist nuk duhet të përballet me masa kaq ndërhyrëse mbi bazën e dyshimeve, stereotipeve apo paragjykimeve. Barazia, mosdiskriminimi, dinjiteti njerëzor dhe procedurat e rregullta ligjore duhet të mbrohen edhe në sport”, shtoi Nini.
Çështja nisi pasi pasi në Tetor të vitit 2025, volejbollistja Nayara Estephanie Goulart Ferreira u pezullua përkohësisht nga aktiviteti i saj me ekipin e Dinamos, pas pretendimeve të ngritura nga ekipe kundërshtare mbi gjininë e saj.
Në bazë të këtyre pretendimeve, asaj iu kërkua nga Federata Shqiptare e Volejbollit t’i nënshtrohej një procedure për verifikimin e seksit, pa zhvilluar më parë një vlerësim objektiv, proporcional dhe në përputhje me standardet procedurale.
Ky veprim u konsiderua nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi si në kundërshtim me standardet e barazisë dhe mosdiskriminimit.
Në vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, citohet se Federata duhet të hartojë dhe të miratojë një procedurë të posaçme, të qartë dhe jo diskriminuese për trajtimin e çështjeve që lidhen me gjininë dhe karakteristikat e seksit.
Vendimi ka rëndësi të veçantë pasi përbën një nga rastet e para në Shqipëri ku autoritetet sportive kanë kërkuar verifikimin e seksit të një sportisteje, duke trajtuar për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë kufijtë që vendosin të drejtat e njeriut mbi procedurat e verifikimit të seksit në sport./BIRN./







