Ballina Kulturë Në dy – vjetorin e vdekjes së Kadaresë: Ne jemi me ju...

Në dy – vjetorin e vdekjes së Kadaresë: Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne

47
0

Nga Hamdi Jupe 

Frymëzime djaloshare

“Takimi” i parë drithërues me të ishte në verën e vitit 1973. Në librarinë e vobektë të qytetit të Konispolit kishte mbërritur romani i ri “Dimri i vetmisë së madhe” (titulli i botimit të parë), një libër voluminoz, i karakterit epope, i tipit të veprave të Tolstoit, i pari i tillë në krijimtarinë e autorit.

Në pushimet e verës lexoja deri në orët e vona nën dritën e zbetë elektrike, në temperatura mbi 30 gradë edhe natën. Përshkrimet në të ishin magji e pahasur më parë në ndonjë vepër letrare. Pjesa e parë e romanit: ngjarjet dramatike në Moskë më 1960, me përplasjet homerike mes delegacionit shqiptar dhe udhëheqjes sovjetike. “Zim” -a të zinj që vërtiteshin nëpër natë.  Udhëheqës të lartë sovjetikë, që përpiqeshin t’i mbushnin mendjen udhëheqjes shqiptare të mos fliste në mbledhjen e 81 partive komuniste. “Çto vëj!?” (Çfarë po bëni ju kështu!?) “Përkthyesi juaj e di mirë rusishten?”

A ishte kjo një vepër letrare, ku çdo gjë është fantazi artistike e autorit, apo një kronikë historike? Nuk ishte thjesht çështje e njohurive të kufizuara estetike të një gjimnazisti,  ishte shumë më tepër se kaq. Kishin kaluar vetëm dhjetë vjet që kur ishin zhvilluar ngjarjet dramatike në Moskë, kur shkrimtari  ishte ulur të shkruante romanin, pa u bërë ende publike dokumentet e asaj që kishte ndodhur.

Çështja ishte që shkrimtari 36 – vjeçar ta kthente ngjarjen historike në vepër arti.  A ia kishte dalë me sukses? Koha e kufizuar që nga zhvillimi i përplasjes, nuk ishte aleate e tij në këtë aventure të rrezikshme, ku suksesi dhe dështimi ishin vëllezër siamezë. Megjithatë, ai kishte arritur ta jepte tablonë shekspiriane të konfliktit midis dy botëve me mjetet e letërsisë, pa rënë për asnjë çast në “humnerën” e kronikanit. Artisti dhe historiani rivalizonin denjësisht te shkrimtari, duke ia dhënë trofenë e fitores të parit.

Asnjë fjalë në të përjavshmen letrare komuniste “Drita” për romanin nga kritika profesioniste për muaj me radhë. Vetëm në gazetën “Zëri i rinisë” botohej ndonje “opinion nga lexuesit” që e kritikonte veprën për “gabime ideo – artistike”.

Në “pallatin e qelqtë” të Lidhjes së Shkrimtarëve  

E takova për herë të parë në janar të vitit 1979 në mbrëmjen  letrare në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, për ndarjen e çmimeve vjetore për krijimtarinë. Salla ishte e mbushur me krijues. Këngëtarët e ansamblit “Migjeni” krijonin atmosferë festive në Pallatin e Qelqtë. Hera e parë që merrja pjesë në ngjarje të tilla, i ftuar si bashkëpunëtor i gazetës “Drita”, ku po rrekesha të botoja herë pas here shkrime  kritike për letërsinë si krijues i ri. Kisha udhëtuar gjashtë orë nëpër rrugët e mbuluara nga bora për të mbërritur atje.

Pas atmosferës festive të fillimit, shkrimtari Kiço Blushi, kryeredaktor i revistës  “Nëntori”, në rolin e kryetarit të jurisë, filloi të lexonte emrat e autorëve fitues për veprat e botuara te “Drita” dhe “Nëntori” gjatë vitit të mbyllur. Në listën e fituesve ishte edhe emri i shkrimtares Helena Kadare, me çmim të parë për një novelë me temën e Luftës, botuar te revista “Nëntori”, që  u kthye më vonë në filmin artistik “Nusja dhe shtetrrethimi.”

Më befasoi lajmi për çmimin e saj. Kisha botuar një shkrim vlerësues rreth një faqe gazete për të te “Drita”. Vendosa ta takoja dhe ta uroja për trofenë.

–          Faleminderit – tha pa më njohur.

–          Kam botuar një shkrim te gazeta “Drita” për novelën tuaj. Nuk e di a e keni lexuar.

–          Uaaa, pse, ti qenke autori i atij shkrimi! – tha e habitur, me një buzëqeshje të madhe në fytyrë.

Ndoshta iu duka si  çunak, 24 vjeç atëhere. Mësues fshati  në Lishanin e Poshtër të Luznisë së Epërme të rrethit të Dibrës, i  lodhur nga rruga, i kequshqyer, si gjithë mësuesit e tjerë jabanxhinj në fshatrat e veriut – ky ishte personi i panjohur – autor i shkrimit, që po shfaqej tani para saj.

–           Ismail, Ismail, hajde pak këtu – thirri të shoqin, që bisedonte pak më tej me disa krijues të tjerë. Ai u afrua sapo dëgjoi thirrrjen.

–          Ky është autori i atij shkrimit për novelën time. A të kujtohet që kemi diskutuar për të? – tha gjithnjë duke qeshur.

–          Më kujtohet, si s’më kujtohet – tha ai duke më dhënë dorën. Ishte një dorë e vogël burri, që kishte shkruar vepra të mëdha.  – E diskutuam me Helenën shkrimin duke pyetur: “Kush është ky, kush eshte ky që e ka shkruar. Nuk të njihnim. Nuk të kishim parë ndonjëherë. Shkrimin e kishe të mire. Po ku je ti, nga je ti, ku punon ti? –  I thashë se isha nga Saranda, por punoja në Dibër.

–          Ashtu ë! – Një shprehje keqardhjeje u var në fytyrën e tij. E njihte dramën e qindra intelektualëve të rinj nga Tirana dhe rrethet e jugut që punonin me vite larg vendlindjes. Kishte shkruar edhe një poezi për këtë me titull “Mësueset e fshatit”, që e dinin pëmendësh të gjithë mësuesit. “Ato të urtat gjer në dhimbje/ të thjeshat gjer në madhështi.” Ja tek e kishte tani njerin prej  tyre para syve të tij. – Shiko, një këshillë ke nga unë: shkruaj më shpesh, boto më shpesh që të të mbajnë mend lexuesit se ndryshe, kur shkruan rrallë, harrohesh, nuk mbahesh mend, a më kupton?

–          Faleminderit shumë për këshillën  – u përgjigja. Ky ishte mesazhi i tij për krijuesit e rinj: shkruaj më shpesh.

Pas atij  çasti fatlum isha në qiellin e shtatë. Kisha takuar shkrimtarin më të madh të letërsisë sonë dhe gruan e tij gjithashtu shkrimtare. E ku kishte si unë në ato çaste! Krijuesit zunë të shpërndaheshin për në shtëpitë e tyre. Ishte një natë e ftohtë e fund – janarit, por mua më ngrohnin fjalët e tij: “Shkruaj më shpesh, boto më shpesh.”

Ikja e shkrimtarit

24 tetor 1990. Në emisionin e mbrëmjes  radio “Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe kishte dhënë lajmin se shkrimtari Ismail Kadare kishte kërkuar strehim politik në Francë. Vetë Kadare kishte deklaruar në mikrofonin e saj se ka ikur nga atdheu, sepse nuk ishte dakord me politikat e udhëheqjes komuniste dhe se do të rikthehej, sapo vendi të hynte në rrugën e demokracisë. Çfarë duhet të ndodhte tjetër për ta quajtur situatën një katastrofë? Kishin kaluar vetëm dy muaj nga përplasja e shkrimtarit me udhëheqësin komunist Alia në takimin me intelektualët në Tiranë.

Udhëheqjes së shokuar komuniste iu deshën dyzetë e tetë orë për të formuluar tre rreshta lajm për opinionin e brendshëm, të cilin e shpërdau me anë të ATSH – së. Titulli:  “Ismail Kadare dezertoi”. Lajmi i plotë: “Nga njoftimet e shtypit të huaj bëhet e ditur se shkrimtari Ismail Kadare, që ndodhej prej afro një muaji në Francë, kërkoi pardje strehim politik atje. Me këtë akt të shëmtuar që fyen rëndë ndërgjegjen patriotike e qytetare të njerëzve tanë, ai braktisi popullin dhe atdheun dhe e vuri veten në shërbim të armiqve të Shqipërisë e të popullit shqiptar.”

Ishte lajmi më i trishtë i botuar në dyzetetetë vjet të jetës së gazetës komuniste. Në atë gazetë  Kadare kishte  filluar punë për herë të parë para tridhjetë vjetësh, pas kthimit nga studimet në Bashkimin Sovjetik. Goditja ndaj regjimit me ikjen pra, ishte “brinjë më brinjë”, prandaj edhe gjuha e përdorur në njoftimin zyrtar ishte nervoze dhe e ulët.  Tani shtrohej çështja nëse do të ndalohej qarkullimi i veprës letrare të autorit, pas atij cilësimi barbar që i kishte bërë komunikata e Komitetit Qendror apo jo. Ndalimi i veprës ishte një praktikë e njohur e regjimit ndaj krijuesve të “padëshiruar”.

Ditët  kalonin dhe nuk kishte shenja se do të ndalohej vepra letrare e “dezertorit” dhe “shërbëtorit të armiqve” Kadare. “Gjenerali” i letërsisë botërore do të vazhdonte të lexohej edhe më tej në shkolla e kudo. Cari i Rusisë e kishte frikë Tolstoin, ndërsa Tolstoi nuk e kishte frikë carin. E njejta gjë po ndodhte edhe me Kadarenë.

Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne   

Tetor 1992. Kadare ishte rikthyer në atdhe për herë të parë pas ikjes në Francë.  Kjo përbënte nje ngjarje per opinionin publik. Gazeta donte te botonte diçka me kete rast. Kur iku shkrimtari, ajo botoi njoftimin e shkurter cinik të ATSH-së. Në këto rrethana, ajo ndiente një lloj borxhi, një nevojë për kërkim ndjese për atë rast, sadoqe njoftimi për ikjen nuk ishte punë e saj. Vendosëm t’i kërkonim një intervistë, por a do ta pranonte ai nje gje te tille?  Detyra m’u ngarkua mua si redaktor për kulturën dhe artin për t’u lidhur me të.  Në anën tjetër të telefonit doli një zë burri.

–          Alo, familja Kadare?

–          Po

–          Deshëm të flasim pak me shkrimtarin, në se mundemi ju lutem.

–          Po, unë vetë jam, – u përgjigj zëri i tij.

–          Ju marrim nga gezeta “Zeri i popullit”. Jam … – dhe i thashe emrin – Ju urojme mirëseardhjen ne Shqiperi.

–          Faleminderit.

–          Zoti Kadare, gazeta jone eshte e interesuar te botoje nje interviste me ju, me rastin e kthimit në atdhe. Nuk e di a do te kishit kohe dhe mundesi per nje gje te tille? – Kerkesa ishte e drejtpëdrejtë dhe prisja nje pergjigje më shumë negative, refuzuese prej tij, natyrisht, e justifikuar me arsye te ndryshme, “nuk kam shume kohe” etj. Për çudine time, ai u pergjigj menjëherë:

–          Po, mire, dakord jam. E bëjmë intervistën.

–          Po si dëshironi, t’jua sjell pyetjet atje, apo do t’i formuloni vetë ato? Se ju e dini më mirë se çfarë është interesante për t’i thënë lexuesit.

–          Po mirë, kështu po e lemë, po i formuloj vetë edhe pyetjet.

Isha shume i lumtur që ai kishte pranuar. Nuk kishte mbajtur mëri me gazeten. Ai respektonte lexuesin e saj, pavaresisht se në çfarë krahu politik ndodhej vetë në kushtet e pluralizmit. Ai ishte  shkrimtar i madh dhe prandaj qendronte mbi partite. Arti qëndron mbi politikën. Ishte intervista e pare qe jepte në shtypin  shqiptar, menjehere pas kthimit. Pas dy ditesh  telefonoi dhe tha se intervista ishte gati.

–          Besoj se nuk do te beni ndryshime  në të. – tha duke ma dorëzuar të shtypur.

–          Jo, absolutisht jo, pa diskutim qe nuk do te bejme ndryshime – i thashe duke qeshur. Kush guxonte të bënte ndryshime në intervistën e tij dhe për çfarë arsyeje?

Sidoqofte, ajo shprehje (“nuk do bëni ndryshime”) më vuri në mendime se mos kishte thene ndonje gje qe nuk i shkonte pershtat gazetes dhe lexuesit tonë. Psh: përse kini shkruar keq për mua kur ika në Francë, përse më kini quajtur  kështu e ashtu etj.etj.

Kur e lexova, vura re se në të nuk kishte asgje te tille. Ishte nje ton i qete dhe pa “gricje” i të folurit per probleme te njohura te realitetit shqiptar te asaj kohe. Ishte nje mesazh paqëtimi i tij me gazeten dhe lexuesin e saj, e nënkuptuar kjo “poshtë rreshtave”, domethënë: Të shkuara, të harruara. Kadare i kishte lënë pas shpine të gjitha ato që ishin thënë për të nga politika e vjetër dy vjet më parë. “Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne.” Këto fjalë i kishte thënë një vit më parë Sekretari Amerikan i Shtetit Xhejms Bejker në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Ky ishte në thelb mesazhi i intervistës së Kadaresë.

Me një “Gjeneral” të përkthyer deri tani në 35 gjuhë të ndryshme të botës në 119 botime të tij, nga të cilat 15 herë në anglisht dhe 12 herë në frengjisht, me gjithë veprën e tij të përkthyer në 45 gjuhë të botës, ai ka hyrë tanimë në Panteonini e letërsisë botërore.

(Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)