Tetë murgj budistë vdiqën e 14 të tjerë u plagosën, katër prej të cilëve rëndë, pasi një djalë 11-vjeçar përplasi një kamionçinë në ta.
Ngjarja tragjike ndodhi në provincën Mukdahan të Tajlandës, gjatë një pelegrinazhi të grupit prej 35 pelegrinësh, në mesin e të cilëve ishin edhe viktimat. Ata ishin nisur drejt krahinës tjetër, Ubon Ratchathani, kur u goditën nga kamionçina që po e ngiste 11 vjeçi, pas vetëm 30 minuta ecje
Guvernatori i provincës Mukdahan, Worrayan Boonnarat, tha se pesë murgj humbën jetën në vendngjarje, ndërsa tre të tjerë ndërruan jetë në spital, raporton AP.
Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga një shoqatë lokale e shpëtimit, tregojnë murgjtë duke ecur në një kolonë përgjatë anës së rrugës, kur kamionçina del nga korsia dhe përplaset me ta.
Policia bëri të ditur se 11-vjeçari është ndaluar dhe do të merret në pyetje në prani të zyrtarëve të mbrojtjes së fëmijëve.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të pasqaruara.
Sipas policisë, dëshmitarët nga grupi i murgjve kanë deklaruar se panë automjetin duke lëvizur në mënyrë të çrregullt në rrugë përpara se të dilte nga korsia dhe të përplasej me ta.







