Juliana Nura ka ndarë për publikun një nga rrëfimet më personale të jetës së saj në episodin e parë të dokumentarit “Eagle Queen”, ku për herë të parë tregon hapur rrugëtimin drejt mëmësisë përmes fertilizimit in vitro (IVF) dhe pritjen e binjakëve.
Në dokumentar, ajo shfaqet në momente tejet intime dhe emocionale, duke nisur nga çasti kur mëson për shtatzëninë, momenti i testit pozitiv, e deri te vizita e parë mjekësore ku dëgjon për herë të parë rrahjet e zemrës së binjakëve. Këto skena, të kapura në mënyrë të drejtpërdrejtë, e tregojnë Julianën mes gëzimit, emocionit dhe lotëve, ndërsa përjeton një periudhë që ajo vetë e ka quajtur ëndrra e saj e fëmijërisë.
Një tjetër moment i rëndësishëm i episodit është edhe komunikimi i lajmit me familjen e saj. Nëna e Julianës, e prekur nga lajmi i shtatzënisë së vajzës, ka reaguar me emocion të madh para kamerave, duke shprehur gëzimin e saj si nënë dhe si gjyshe. Ajo tha se lumturia e vajzës së saj është edhe lumturia e saj dhe se ky është një bekim i madh për familjen.
Në një deklaratë që ka tërhequr vëmendje, ajo u shpreh: “Jam shumë e lumtur si nënë dhe si gjyshe” .”Kur Xhuli është e lumtur, edhe unë jam e lumtur. Unë jam vetë nënë dhe tashmë po bëhem gjyshe e 12 nipave dhe mbesave, dhe ky është një bekim i madh”.
Dokumentari “Eagle Queen” synon të sjellë jo vetëm jetën publike të Juliana Nura, por edhe anën e saj më personale, duke ndarë me publikun emocionet, sfidat dhe momentet më të ndjeshme gjatë kësaj periudhe të veçantë të jetës së saj.






