Subjekti opozitar në Serbi, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), ka kërkuar nga policia dhe prokuroria që pa vonesë të përcaktojnë se kush qëndron pas përgatitjes dhe ngjitjes së posterëve në Krushevc, qytet në Serbinë qendrore, ku qytetarët thirren të mos blejnë tek shqiptarët.
Në njoftimin e PSG-së vlerësohet se është veçanërisht e rrezikshme që posteri është ngjitur përpara një furre buke pronari i së cilës është shqiptar, duke theksuar se në këtë mënyrë “njerëz konkretë ekspozohen ndaj presionit, persekutimit dhe dhunës së mundshme”.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua për informacione Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe prokurorisë në Krushevc, por ato nuk ishin në dispozicion për të dhënë përgjigje të menjëhershme.
Në poster, sipas njoftimit të PSG-së, u thuhet qytetarëve të kujtojnë Gazimestanin dhe të mos blejnë tek shqiptarët, ndërsa shqiptarët cilësohen me emërtimin përçmues “Šiptari”.
“Ky mesazh nuk është qëndrim politik apo protestë, por shënjestrim i hapur i njerëzve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare dhe përpjekje për ta zhvendosur urrejtjen nga rrjetet sociale në rrugë”, vlerësoi PSG-ja.
Në njoftim thuhet se për çdo vepër penale përgjigjet individi, jo një popull i tërë, dhe se politika e “masave reciproke” ndaj shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Serbi duhet të refuzohet publikisht dhe të ndalet.
Partia ka kërkuar nga policia dhe prokuroria që pa vonesë të gjejnë se kush qëndron pas përgatitjes dhe ngjitjes së posterëve dhe të hetojnë ekzistencën e përgjegjësisë për nxitje të urrejtjes dhe intolerancës ndëretnike.
“PSG-ja nuk do të heshtë ndaj përpjekjeve që qytetarët tanë të nacionalitetit shqiptar të shndërrohen në shënjestra për shkak të konflikteve politike, propagandës së luftës dhe revanshizmit nacionalist”, thuhet në deklaratë.
Policia e Kosovës më 28 qershor, gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, ka arrestuar 37 persona, ndërsa para gjykatës janë proceduar 36 prej tyre, kryesisht nga Serbia dhe vendet e rajonit.
Masa e dëbimit dhe ndalimit të hyrjes në Kosovë për tre vjet, së bashku me gjoba monetare, u janë shqiptuar atyre për shkak të thirrjeve “Kosova është Serbi” me tre gishta të ngritur.an
Ndërkohë, në opinion janë shfaqur pretendime se të ndaluarit gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan janë keqtrajtuar “psikikisht dhe fizikisht” nga policët.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa nga Inspektorati i Policisë së Kosovës kanë thënë se do t’i verifikojnë sipas detyrës zyrtare, edhe pse nuk kanë marrë asnjë ankesë për ngjarjet në Gazimestan./rel







