Ballina Ekonomia Rënia e Ballukut dhe SPAK çlirojnë tenderat e rrugëve/ 2T dhe Salillari...

Rënia e Ballukut dhe SPAK çlirojnë tenderat e rrugëve/ 2T dhe Salillari fitojnë bypassin e Elbasanit me mbi 30% ulje

89
0

Kompania 2T e vëllezerve Sako dhe Salillari janë shpallur fituesit paraprakë në garën e ashpër për dy tenderat e majmë për ndërtimin e Bypassit të Elbasanit. Kapitali ka siguruar vlerësimin e ARRSH-së për dy kontratat, vlera totale e të cilave shkon mbi 60 milionë euro.

Sipas dokumentave, kompania 2T është shpallur fituese në lotin e parë në proçedurën me objekt “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me korridorin VIII, Faza 1” duke u vlerësuar me 278.85 pikë dhe duke lënë pas 4 A-M dhe Gener 2, të cilat janë vlerësuar respektivisht me 269.25 dhe 264.15 pikë.

Rënia e Ballukut dhe SPAK çlirojnë tenderat e rrugëve/ 2T

Ky lot kishte një fond limit prej 3.3 miliardë lekësh ose 34.4 milionë euro, por Kapitali ka mësuar se gara ka qenë e fortë dhe kompanitë kanë ofruar çmime deri në 35 për qind më të ulëta se sa fondi limit.

Ndërkohë në proçedurën tjetër, “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me korridorin VIII, Faza 2”, kompania e renditur e para nga Autoriteti Rrugor Shqiptar rezulton Salillari. Kjo kompani është vlerësuar me 278.85 pikë, duke lënë pas sërish të njëjtat kompani, Gener 2 dhe 4 A-M, të cilat u vlerësuan respektivisht me 271.35 dhe 269.25 pikë.

Rënia e Ballukut dhe SPAK çlirojnë tenderat e rrugëve/ 2T

Faza e dytë kishte një fond limit të paracaktuar prej 2.5 miliardë lekësh ose 26 milionë euro. Por edhe në këtë proçedurë gara ka qenë e ashpër dhe uljet e kompanive kanë qenë në rangun e mbi 30 për qind nga fondi limit. Sipas dokumentave në lotin e parë kanë garuar plot 12 kompani, ndërsa në lotin e dytë numri i kompanive pjesëmarrëse ka qenë 16.

Ndonëse ofertat e sakta të kompanive fituese ende nuk janë bërë publike, Kapitali ka mësuar se të dy procedurat mund të kenë kursyer më shumë se 15 milionë euro nga fondi i paracaktuar limit. Uljet e këtyre përmasave në kontratat e mëdha kanë qenë një fenomen shumë i rrallë dhe thuajse inekzistent në tenderat e infrastrukturës, ku siç tregojnë dosjet e SPAK, ishte instaluar një sistem që kontrollonte garën dhe paracaktonte fituesit me dorë të hekurt.

Rënia e Berlinda Ballukut dhe frika e zyrtarëve nga SPAK për të firmosur akte kamikaze duket se po jep efektet e para të çlirimit të tenderave publikë nga koluzioni dhe paracaktimi korruptiv.

Bypassi i Elbasanit
Ky segment ka për qëllim të përmirësojë lidhjen mes kryeqytetit dhe qytetit të Elbasanit dhe duke përforcuar lidhjet e Korridorit VIII, një nga korridoret kryesore ndërkombëtare në rajon.

Rruga ndjek kryesisht gjurmën e By-Pass-it të qytetit të Elbasanit, sipas Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë, me disa devijime të vogla për të përmbushur standardet e projektimit të një autostrade ndërurbane të kategorisë “A”. Segmenti fillon në fshatin Bradashesh, ku përfundon autostrada Tiranë–Elbasan, dhe vazhdon drejt jug-perëndimit të qytetit.

Terreni përgjatë këtij segmenti është kryesisht fushor, me kuota që variojnë nga 100 deri në 150 metra mbi nivelin e detit.

Projekti sipas dokumenteve ka marrë parasysh kushtet hidrologjike, gjeologjike dhe urbanistike të zonës përreth, për të garantuar siguri dhe qëndrueshmëri të lartë të rrugës. Ky segment ka një gjatësi prej 4,2 km.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka theksuar se ndërtimi i Bypass-it të Elbasanit do të reduktojë trafikun në qendër të qytetit, do të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe do të përmirësojë sigurinë rrugore për qytetarët dhe bizneset./kapitali