Pas protestave në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, sot duke nisur nga ora 18:00, do të mbahet protestë edhe në Kroaci, për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendimi përfundimtar ndaj të cilëve pritet të shpallet më 16 shtator, nga ora 10:00.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka deklaruar se shpreson që kjo të jetë protesta e fundit, me besimin se çlirimtarët në shtator do të kthehen në shtëpi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, akuzohen nga Specialja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të katërtit i mohojnë akuzat që rëndojnë ndaj tyre. Që nga fillimi i gjykimit në vitin 2023, në Kosovë dhe në shtete të tjera janë mbajtur protesta në mbështetje të tyre.







