Në rrjetet sociale të kreut të PD-së, Sali Berisha, ka publikuar një videodenoncim i dërguar nga një qytetar dirket nga kantieri ku po ngrihet skena e ‘Eagle Stadium’, ku ngre akuza për një investim prej 50 milionë eurosh për organizimin e një nate koncerti të Kanye West.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale të Berishës, qytetari shprehet:
“Ja ku janë 50 milionë eurot që ka dhënë ministri ynë për një natë koncerti, ndërsa spitalet nuk kanë ilaçe. Ja ku janë, vetëm për një natë koncerti. E gjithë kjo fushë këtu ka qenë gjelbërim. Kush e di se çfarë do të bëhet pas kësaj.
Edhe thonë pastaj: ‘Për çfarë del në protestë?’ Këtu, për çdo hap që ecën, gjen një arsye për të dalë në protestë. Jo më të pyesësh për çfarë të dalësh në protestë. Janë aq shumë arsye, sa nuk dihet nga t’ia nisësh.”
Videoja është shpërndarë nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërsa në deklaratën e qytetarit ngrihen akuza për përdorimin e fondeve publike dhe kritika për gjendjen e sistemit shëndetësor. Pretendimet e shprehura në video janë deklarime të qytetarit dhe nuk janë të konfirmuara nga autoritetet.







