Nga Klodian Tomorri
Kryeministri Edi Rama reagoi kundër kritikave publike mbi përdorimin fondit rezervë të buxhetit për të subvencionuar koncertin privat të Kanye West. Përmes një gjuhe të papërshtashme për një kryeministër, me etiketime vulgare ndaj kritikëve, shefi i qeverisë ka dhënë argumentet e tij se pse shpenzimi i 4.2 milionë eurove nga paratë e qytetarëve ishte një investim i mirë.
“4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye Weest; për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës; për të stimuluar ekonominë, e cila sa për një shembull, sipas UEFA-s, pati një hyrje prej 160 milionë eurosh nga Finalja e Conference League-s, ndërkohë që nga ky koncert – në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve – ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura,” shkroi Rama në profilin e tij në facedbook.
Por a do të përfitojë ekonomia shqiptare me të vërtetë 100 milionë euro nga koncerti, ashtu siç pretendon kryeministri?
Së pari, tashmë një gjë është e sigurtë. Vetë koncerti është një aktivitet financiarisht jo rentabël. Fakti që qeveria detyrohet të disbursojë 4.2 milionë euro nga buxheti për të nxjerrë nga gropa aktivitetin është prova e pakundërshtueshme e falimentit financiar të projektit.
Dhe ky është vetëm subvencioni i pranuar zyrtarisht, sepse ne nuk e dimë se si janë financuar shpenzimet për ndërtimin e stadiumit dhe kostot e tjera organizative të aktivitetit. A ka ndërhyrë qeveria për të çuar nënkontraktorë privat në ndërtimin e stadiumit dhe a u ka diktuar atyre kushte duke u premtuar kompesim në mënyra të tjera?!
Megjithatë një projekt apo investim mund të mos jetë rentabël “per se” dhe njëkohësisht të gjenerojë të ardhura për ekonominë lokale. Investimet publike janë shembulli klasik i kësaj. Shumë rrugë, hekurudha apo vepra të tjera publike mund të jenë financiarisht jo fizibël për t’u realizuar me kapital privat, por subvencionohen me para publike dhe gjenerojë përfitime të mëdha për ekonominë.
Por gjithmonë analizat financiare mbi kostot dhe përfitimet bëhen mbi bazën e treguesve realë dhe jo shifrave të hedhura kuturu. Shifra prej 100 milionë eurosh, që kryeministri thotë se do të përfitojë ekonomia nga koncerti i reperit amerikan, nuk ka asnjë bazë mbështetëse nga pas, përveç hamendësimeve të zotit Rama.
Ajo është thjesht një shifër e hedhur në turmë pa asnjë analizë reale financiare dhe nuk do të ndryshonte asgjë edhe sikur kryeministri të thoshte se përfitimi i ekonomisë do të 200 milionë, 300 milionë apo edhe 1 miliardë euro. Por tani të kthehemi në botën reale sepse literatura tashmë ka një bazë gjithmonë e më të pasur vlerësimesh të impakteve ekonomike të koncerteve apo aktiviteteve kulturore në ekonomitë lokale ku ato realizohen.
Për shembull, “Turi Era” i Taylor Swift në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2024 është një nga më të studiuarit në këtë aspekt. Mes të tjerave, këngëtarja e famshme amerikane zhvilloi dy koncerte në Denver të Kolorados në verën e vitit 2024, ku morën pjesë më shumë se 150 mijë spektatorë.
Sipas vlerësimeve të Institutit Common Sense dy koncertet gjeneruan 38 milionë dollarë të ardhura direkte nga shitja e biletave dhe 140 milionë dollarë në GDP-në e Kolorados. Pra dy koncerte masive me mbi 150 mijë pjesëmarrës dhe çmimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjeneruan gjithsej 140 milionë dollarë aktivitet ekonomik. (Lexo këtu)
Por për ta përafruar edhe më shumë bazën e vlerësimin me Shqipërinë do të shërbente koncerti pikërisht i Kanye ëest, në Stamboll dy muaj më parë. Koncerti i mbajtur në statidumin Ataturk pati një pjesëmarrje prej 120 mijë vetësh dhe sipas vlerësimeve gjeneroi nga 50 milionë deri në 100 milionë dollarë për industrinë turke të turizmit.
Dhe këto ishin vlerësime nga vet organizatorët, të cilët në Turqi nuk kërkuar para nga qeveria për të mos falimentuar. (Lexo këtu)
Tani të kthehemi në Shqipëri. Sipas të dhënave që publikon vetë kryeministri, koncerti në Tiranë pritet të ketë 25 mijë pjesmarrës nga jashtë. Me një çmim mesatar bilete prej 250 eurosh, këta persona kanë gjeneruar në total 6 milionë euro të ardhura për organizatorët.
Studimet e specializuara tregojnë se ekonomiksi i koncerteve ka një multiplikator shpenzimesh që luhatet nga 1.5-3 herë, që do të thotë se për çdo 1 lekë bilete ka 1.5-3 lekë të tjera shpenzime për ushqim, transport, akomodim në ekonominë lokale. (Lexo këtu)
Pra në rastin më të mirë 20 milionë euro gjithsej, ndërsa në skenarin me realist rreth 15 milionë euro në total kontribut për ekonominë e vendit. Ky është vlerësimi me realist i impaktit që koncerti i Kanye West do të ketë në ekonominë shqiptare, i cili përputhet plotësisht me koncertet e ngjashme të zhvilluara edhe në vende perëndimore, ku çmimet madje janë më të larta.
Fjala vjen Afro Nation Portugal, i mbajtur në vitin 2023, tërhoqi 40 mijë pjesëmarrës. Kontributi i tij total ekonomik për ekonominë e Portugalisë u vlerësua 15 milionë dollarë. (Lexo këtu).
Me këto llogari, financiarisht subvencionimi me 4.2 milionë euro i koncertit për buxhetin është një operacion negativ, pasi me një qarkullim total prej 20 milionë euro, arka e shtetit nuk do të kapte dot as paratë e shpenzuara.
Dhe pyetja pastaj është kjo; kur një qeveri subvencionon aktivitete private, cilat duhet të jenë prioritet. çingijet jo rentabël të kryeministrit, shtresat vulnerabël apo aktivitetet ekonomike që gjenerojnë kthim më të lartë?







