Ballina Politika Turpi i koncertit që na kushtoi 4 milionë euro… përballë turpit të...

Turpi i koncertit që na kushtoi 4 milionë euro… përballë turpit të atyre që kërkojnë ndihmë për t’u kuruar jashtë vendit

51
0

“Na erdhi turp ta anulonim koncertin.”- Kjo është, ndoshta, fjalia më e sinqertë që ka thënë ndonjëherë një kryeministër për mënyrën se si përcaktohen prioritetet e një qeverie.Katër milionë euro u gjetën “në minutën e fundit”, sepse, sipas Edi Ramës, Shqipëria nuk duhej të turpërohej para 25 mijë turistëve që kishin blerë biletat për koncertin e Kanye West.

Pra, turpi paska një çmim. Katër milionë euro. Por atëherë lind një pyetje e thjeshtë.Ku është ky turp kur qytetarët shqiptarë detyrohen të hapin fushata në GoFundMe për të mbledhur para për një operacion, një kimioterapi apo një trajtim jashtë vendit?

Mjafton të kalosh disa minuta në rrjetet sociale. Çdo ditë shfaqet një histori tjetër. Një fëmijë që pret ndihmë. Një prind që lutet për donacione. Një i ri që shet gjithçka ka për të blerë edhe pak kohë jete.

Ky është realiteti. Dhe nuk është propagandë. Nuk është opozitë. Nuk është “korb” apo “sorrë”. Janë shqiptarë që kërkojnë ndihmë nga shqiptarët, sepse nuk arrijnë ta gjejnë dot te shteti. Ndërkohë, për një koncert privat, shteti lëviz me shpejtësinë e dritës.

Katër milionë euro dalin brenda natës. Për spitalet dëgjojmë prej vitesh se investimet janë historike. Se shëndetësia ka marrë fonde rekord. Se gjithçka po transformohet. Megjithatë, mjafton të hysh në QSUT dhe të flasësh me pacientët, me familjarët e tyre apo edhe me vetë mjekët për të kuptuar se propaganda dhe realiteti nuk ecin gjithmonë në të njëjtin korridor.

Sepse një sistem shëndetësor nuk matet me konferenca shtypi, por me pyetjen më të thjeshtë: a ndihet qytetari i sigurt se do të marrë trajtimin që i duhet, pa qenë i detyruar të kërkojë lëmoshë në internet?

Kryeministri thotë se koncerti do t’i sjellë ekonomisë 100 milionë euro. Mund të ndodhë. Mund edhe të mos ndodhë. Kjo do të provohet me shifra. Por ajo që dihet me siguri është se mijëra shqiptarë nuk presin fitime hipotetike. Ata presin një sistem që t’u japë shpresë, jo një link për donacione.

Në fund mbetet vetëm një ironi e hidhur. Ndoshta, në Shqipërinë e vitit 2026, Kanye West kishte më shumë nevojë për ndërhyrjen urgjente të shtetit sesa pacientët shqiptarë. Dhe kjo është arsyeja e vërtetë për t’u turpëruar./vna