Ballina Opinion Protesta “zhveshi” Ramën nga iluzionet, tani duhet të bëj atë që urren:...

Protesta “zhveshi” Ramën nga iluzionet, tani duhet të bëj atë që urren: Të japë llogari!

66
0

Nga Indrit Gjyzeli

Edi Rama ka mbi një muaj që vetëm justifikohet, shpjegon, justifikon veprimet e tij. Nuk e ka vënë re që është kontradiktor në çdo deklaratë pasi nuk e ka menduar kurrë që mund të japë llogari, qoftë edhe në podcastet e veta, në show-t përpara socialistëve, grupit parlamentar, e aq më pak ndaj medias. Pasi ka shpërfillur prej 13 vitesh opozitën në Kuvend, pasi ka refuzuar shumicën absolute të interpelancave të kërkuara nga opozita, Rama më në fund është futur në tunelin e shpjegim-justifikimeve, duke treguar kështu se vetëm transparencën nuk ka mundur ta aplikojë gjatë gjithë kohës si kryeministër. ( Mjafton të kujtojmë se dëgjesën me banorët e Zvërnecit e bëri vetëm disa ditë pasi nisi protesta, duke treguar se vetëm banorët nuk ishin dëgjuar).

Ndërkohë, teksa përpiqet të marrë pjesë të caktuara fjalimesh nga folësit në protestë, Rama ka hyrë në rrugën e dhënies llogari dhe kjo po e shqetëson dhe nervozon, pasi ai kurrë nuk ka dalë për t’iu përgjigjur gazetarëve e qytetarëve për atë që i shqetëson qytetarët, por vetëm të recitojë projekte që veç në letër ngjajnë mirë dhe ligjore.

E sikur veç për këtë proces llogaridhënie që ka shkaktuar ndaj kryeministrit protesta duhet të mbështetet nga çdo qytetar që ka sadopak respekt për veten, pasi çdo qytetar, votues i tij apo jo, duhet të dëgjojë nga kryeministri se çfarë ka ndodhur me premtimet e tij, me taksat, me shkollën, demografinë aktuale e me mundësinë e rikthimit të shqiptarëve në shtëpitë e tyre, afër prindërve, që të shmangim një shpopullim shkatërrues.

Por më shesh duhet të jetë kushdo që kupton se forca e policisë i ka kaluar të fortëve pranë Ramës, dhe se një Ergys Agas’ ka bërë më shumë shpërndarje tenderash se sa e gjithë Qeveria, duke treguar se për Ramën nuk ka aspak rëndësi shtetit, por vetëm pushteti. Dhe është po ky njeri që në 2013 premtonte se do falte pushtet për të bërë shtet, ndërkohë që mënyra se si ka përcaktuar se kush është biznesmen, se kush fiton e humbet, vetëm se ka krijuar pushtet në kurriz të shtetit.

Kushdo që ka pasur sadopak iluzion se Rama do jetë modest karshi qytetarëve, mjafton të shohë dakordësinë e tij që të trajtohet si mbret, për të kuptuar se Rama nuk ka lidhje me atë që duan qytetarët.

Pikërisht për këtë fakt protesta duhet mbështetur, pasi ka rrëzuar Ramën e gënjeshtërt, një Ramë që ka rrëzuar vetveten çdo ditë që flet, pasi veç konfirmon atë që ka thënë ndryshe dhe e ka bërë ndryshe.

Rama ka rënë edhe përpara ndërkombëtarëve. Në Ankara u tregua me gisht si qesharak nga vetë kreu i NATO-s, ndërkohë që atletet ka kohë që i vesh në takime të tilla. Më mediat botërore del ai një njeri që kërkon vetëm armiq, por nuk di të thotë përgjigjet që u duhen qytetarëve.

Rama ka rënë edhe për faktin se çdokush që debaton me të tregon se nuk e merr më seriozisht, duke i rrëzuar të vetmen fuqi për të cilën është investuar- propaganda. Ndaj dhe është I shqetësuar, sepse edhe ata që ja shpërndanin me qejf postimet, tani kanë mbyllur llogaritë sociale apo heshtin.

Ndërkaq, kjo lirshmëri e protestës ka rrëzuar edhe tentativat për ta rrëmbyer. E vetmja shpresë e Ramës mbeten ose dhuna, ose Berisha edhe më fort në protestë. Por ky model, së bashku me ata që kanë tentuar ta prishin apo intimidojnë, thjesht veçse e kanë bërë protestën edhe më popullore.

Rama ka rënë, bashkë me rrëmbyesit. Ka rënë edhe shpresa se mund ta mbajë Berisha me këmbënguljen e tij djallëzore për ta bërë protestën të vetën megjithëse çdo demokrat ka të drejtën legjitime të jetë në protestë, si çdo qytetar që kërkon largimin e Ramës. Madje, shumica e demokratëve në protestë duket se kanë nisur të këndoj me zë të plotë “Rama burg, Berisha burg”, padi tashmë është e qartë se pa Berishën në krye të PD Rama do kishte të vështirë çdo lloj mbijetese./Alfapress.al