Ballina Editorial Lufta ime e yjeve!

Lufta ime e yjeve!

57
0

Nga Lutfi Dervishi 

Kam bërë vetëm katër review në Google. Pra, nuk jam ndonjë veteran i frontit të yjeve dhe as ndonjë marshall i Google Maps.

Por katër vlerësimet e mia kanë një karakteristikë: janë ekstreme. Kur më ka pëlqyer shumë një vend, kam dhënë pesë yje. Kur jam larguar i pakënaqur, kam dhënë një.

Mes vlerësimeve pozitive është një byrektore modeste në Mbrostar, që është bërë tashmë pit stop sa herë më bie rruga andej. Kam vlerësuar me pesë yje edhe një lokal të thjeshtë, pothuajse provizor, në Borsh. Plazhi ishte i pastër, ushqimi shumë i mirë dhe shërbimi po ashtu. Madje përmenda me emër kamarierin e ri që na shërbeu.

Më jep kënaqësi fakti që ky vlerësim pozitiv është parë nga mijëra njerëz. Ndoshta ndonjëri ka ndaluar aty edhe prej atyre pak rreshtave.

Por kam shkruar edhe dy review me një yll, të dy për restorante luksi.

Njëri ishte për një restorant dikur shumë të mirë, në Durrës, ku prita pothuajse një orë dhe ku cilësia e ushqimit ishte zhgënjyese. Megjithatë vlerësova sjelljen e kamarierit me notë të lartë.

Tjetri ishte edhe më i ashpër, por plotësisht i merituar. Isha ftuar në një darkë me një grup të huajsh, në një lokal ndoshta nga më të shtrenjtët në Tiranë. Muzika ishte aq e lartë sa nuk dëgjoja njeriun që kisha në krah. Kërkova disa herë që volumi të ulej, pak, por kërkesat e mia dhanë aq rezultat sa merr njeriu që prashit në det.

Review ishte shumë negativ, por jo qorrazi. Ushqimit i dhashë notën 4 nga 5, ndërsa shërbimit dhe atmosferës 1. Pra, kuzhinieri u shpall i pafajshëm. Menaxheri dhe kamarieri morën ndëshkim. Afro dy mijë njerëz e kanë parë vlerësimin.

Nga restoranti? Asnjë përgjigje, as një pyetje, as një ndjesë, as një përpjekje për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur. As edhe formulën standarde: “Na vjen keq që përvoja juaj nuk përmbushi pritshmëritë”, atë fjali që sot ta prodhon inteligjenca artificiale para se menaxheri të ketë rrufitur kafenë e mëngjesit.

Kjo më bën përshtypje sidomos sot, kur Shqipëria është përfshirë në atë që mund ta quajmë lufta e yjeve.

Pas reagimeve publike të një grushti pronarësh të bizneseve ndaj protestës dhe protestuesve, ka nisur një aksion i organizuar për vlerësime negative ndaj një numri të kufizuar restorantesh dhe hotelesh.

Zemërimin e kuptoj. Madje e mirëkuptoj. Kur një pronar biznesi vendos të hyjë në debat publik, të përçmojë ose të fyejë protestuesit, nuk mund të presë që të kthehet qetësisht pas banakut dhe të thotë: politika është politikë, biznesi është biznes. Sidomos në kapitalizëm, ku klienti është mbret, jo tabelë qitjeje.

Dje, drejtori i Policisë së Shtetit deklaroi se policia do të hetojë çështjen e review-ve. Në një vend me probleme të krimit të organizuar, të të shumëkërkuarve, trafikut të drogës dhe korrupsionit, ideja që policia ngrihet në këmbë për yjet e restoranteve është, të paktën, një zgjedhje interesante prioritetesh.

Kërcëno me jetë Kryeministrin në rrjete sociale dhe nuk të ndodh asgjë. Guxo t’i japësh një yll një restoranti dhe ngrihet në këmbë policia, me në krye drejtuesin madhor me dy yje.

Por pikërisht sepse reagimi i policisë është joproporcional, nuk duhet rënë në të njëjtin kurth të mungesës së masës.

Një review negativ nga një klient që ka qenë në lokal, ka paguar faturën dhe tregon përvojën e vet, është një gjë, por një mijë review negative, të koordinuara nga njerëz që nuk kanë shkelur kurrë në atë biznes, janë diçka tjetër.

Në rastin e parë flet klienti, në të dytin flet turma.

Dhe turma, edhe kur zemërimin e ka të ligjshëm, nuk e ka gjithmonë shënjestrën të saktë.

Nëse lufta yjeve del nga shinat, bashkë me të thatin mund të digjet edhe i njomi. Pas një hoteli nuk është vetëm pronari që ka bërë një deklaratë IDIOTE dhe arrogante. Ka recepsionistë, kamarierë, kuzhinierë, pastruese, furnitorë dhe familje që jetojnë me ato paga. Është një zinxhir i tërë.

Kjo nuk do të thotë se klienti duhet të heshtë. Përkundrazi.

Review është një nga instrumentet më demokratike të kapitalizmit modern. Një klient i vetëm mund t’u tregojë mijëra njerëzve përvojën e tij. Nuk i duhet televizion, gazetë, parti dhe, deri dje, as edhe leje nga policia.

Përvoja ime më e mirë me review nuk lidhet me restorante luksoze. Lidhet me kënaqësinë që një vlerësim pozitiv për një biznes modest është parë nga mijëra klientë potencialë.

Përvoja më e keqe nuk është as ushqimi i dobët, as pritja një orë dhe as muzika që të bënte të kërkoje azil akustik. Është heshtja. Mospërfillja. Fakti që një klient shkruan publikisht për një përvojë të keqe, mijëra njerëz e lexojnë, dhe biznesi nuk interesohet fare të kuptojë çfarë ka ndodhur.

Pronarët që duan të bëjnë politikë duke përçmuar klientët ose protestuesit, besoj se e kanë marrë mesazhin.

Kartoni i verdhë është nxjerrë. Por pavarësisht kartonit të verdhë loja vazhdon, nuk është sinjal për të hyrë të gjithë në fushë. Sepse kur turma vendos të bëjë drejtësi me yje, e vetmja gjë që del me pesë yje në fund është kaosi.