Anglia sonte do të përballet me Norvegjinë në një sfidë vendimtare për një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. “Tre Luanët” vijnë në këtë përballje pas një paraqitjeje të jashtëzakonshme në fazën e 1/8 së finales, ku mposhtën Meksikën në stadiumin “Estadio Azteca” dhe siguruan kalimin në mesin e tetë ekipeve më të mira të turneut.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel sërish u mbështet te yjet e saj kryesorë, Jude Bellingham dhe Harry Kane, të cilët realizuan golat vendimtarë për triumfin ndaj Meksikës.
Në anën tjetër, Norvegjia është befasia e këtij Botërori. Shumë parashikonin një përballje mes Anglisë dhe Brazilit në këtë fazë të garës, por skuadra e Stale Solbakken siguroi një vend në çerekfinale pas eliminimit spektakolar të “Seleçaos”.
Erling Haaland ishte heroi i norvegjezëve, duke shënuar dy gola në minutat e fundit dhe duke i dhënë fund rrugëtimit të Brazilit në turne.
Ndërkohë, Anglia ka marrë lajme pozitive sa i përket gjendjes së lojtarëve. Reece James, Marc Guehi dhe Declan Rice munguan në stërvitjen e së enjtes, duke ndjekur programe individuale rikuperimi pas ndeshjes me Meksikën, por të tre u rikthyen me grupin të premten.
Anglia synon të vazhdojë rrugëtimin drejt trofeut, por përballë do të ketë një Norvegji të motivuar, e udhëhequr nga një prej sulmuesve më të rrezikshëm në botë, Erling Haaland.
Ndeshja Norvegji – Angli zhvillohet sonte, me fillim nga ora 22:00. Dueli do të luhet në stadiumin “Hard Rock Stadium” në Miami, Florida.
Formacionet zyrtare:
Norvegjia (4-3-3): Orjan Nyland, Julian Ryerson, Kristoffer Ajer, Torbjorn Heggem, David Moller Wolfe, Sander Berge, Patrick Berg, Martin Odegaard, Alexander Sorloth, Antonio Nusa, Erling Haaland.
Anglia (4-2-3-1): Jordan Pickford, Reece James, Ezri Konsa, Marc Guehi, Nico O’Reilly, Elliot Anderson, Declan Rice, Bukayo Saka, Jude Bellingham, Anthony Gordon, Harry Kane.







