Ballina Opinion Revolucionarizohet edhe Fevziu

Revolucionarizohet edhe Fevziu

73
0

Nga Ylli Manjani 

Ka vite që e kam vënë re një fenomen interesant. Çdo verë Fevzo, komshiu im i plazhit, kapet nga një frymë revolucionare. Ndoshta është efekti i diellit, ndoshta i detit. Nuk e di. Por këtë vit e tejkaloi edhe veten.

Në një reels të fundit hodhi një tezë që, po të ishte e vërtetë, do të përmbyste të gjithë literaturën e ekonomisë së turizmit. Sipas tij, plazhet shqiptare deri dje mbusheshin nga trafikantët. Tani që SPAK-u i paska arrestuar, plazhet qenkan bosh.

Uau!

Pra, sipas kësaj logjike, ata mijëra njerëz që zbresin nga Tirana, Prishtina, diaspora dhe turistët e huaj qenkan thjesht dekor. Në fakt, plazhet i mbushkan trafikantët. Në këtë rast, trafikantë rezultojmë edhe unë, edhe vetë Fevzo, që çdo verë jemi aty.

Por problemi nuk është vetëm ky. Problemi është se kjo teori përpiqet të shesë një marrëzi edhe më të madhe: se SPAK-u po zhvilloka turizmin.

Kjo është një idiotësi.

Turizmi nuk zhvillohet me policë, prokurorë dhe dosje penale. Turizmi zhvillohet me projekte, me vizion, me infrastrukturë, me investime, me marketing dhe me para. Me rrugë, aeroporte, ujë, energji, shërbim dhe siguri për pushuesin.

SPAK-u nuk është agjenci zhvillimi. Nuk është ministri turizmi. Nuk është fond investimesh.

SPAK-u është organ ndëshkimi. Për këtë u krijua nga revolucioni kushtetues i vitit 2016. Misioni i tij është të hetojë dhe të kërkojë ndëshkimin e atyre që dyshohen për vepra penale, jo të shtojë prenotimet në hotele apo të rrisë numrin e shezlongëve të zënë.

Nëse nesër dikush thotë se turizmin e zhvillon prokuroria, atëherë le të mbyllim Ministrinë e Turizmit dhe të hapim një prokurori në çdo plazh.

Po aq problematike është edhe damkosja kolektive e njerëzve që sot pushojnë në Dhërmi. Çfarë logjike është kjo që i sheh pushuesit si kategori penale?

Në plazh nuk pyetet askush se çfarë pune bën. Nuk kontrollohet deklarata e pasurisë, as bilanci i biznesit, as ngjyra e rrobave të banjës. Në plazh shkojnë njerëz. Disa më të pasur, disa të mesëm, disa me kursimet e një viti. Deti nuk bën dallime dhe as shërbimi nuk duhet të bëjë.

Sfida e një biznesi turistik është t’i shërbejë mirë kujtdo që hyn si klient. Jo ta klasifikojë sipas paragjykimeve politike apo sociale.

Madje, ta zëmë për një moment se teoria e Fevzos është e vërtetë. Ta zëmë se mes pushuesve ka edhe njerëz me rekorde kriminale. Po çfarë do të thotë kjo? Që restoranti nuk duhet t’u shërbejë? Që hoteli duhet t’i dëbojë? Që beach bar-i duhet t’u mbyllë derën?

Po në Greqi? Po në Itali? A i pyet kush pushuesit për dosjen penale përpara se t’u sjellë kafen apo shezlongun?

Sigurisht që jo.

Sepse biznesi turistik nuk është polici. Nuk është prokurori. Nuk është gjykatë.

Kjo përzierje e rolit të shtetit me atë të sipërmarrjes është pikërisht logjika revolucionare: të shohësh gjithçka përmes filtrit të ndëshkimit dhe jo të zhvillimit.

Kjo është arsyeja pse më habiti Fevzo. Jo se dha një mendim. Mendime jep kushdo. Por sepse zgjodhi të përqafojë një tezë që e mat suksesin e turizmit me numrin e arrestimeve.

Në fakt, kur një vend fillon të besojë se ekonominë e zhvillojnë prokurorët, jo sipërmarrësit, atëherë problemi nuk është më turizmi.

Problemi është se revolucioni ka filluar të zërë vend edhe në mendjet e njerëzve me dy pare mend…