Ballina Kronika I dënuar në Itali me 13 vite burg për shfrytëzim prostitucioni, 48-vjeçari...

I dënuar në Itali me 13 vite burg për shfrytëzim prostitucioni, 48-vjeçari arrestohet në Tiranë për t’u ekstraduar

65
0

Arrestohet në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, 48-vjeçari Bekim Nikolli, i dënuar me 13 vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe skllavërim/nënshtrim. Arrestimi u krye në zonën e Institutit Bujqësor.

Sipas autoriteteve italiane, Nikolli, në bashkëpunim me persona të tjerë, shfrytëzonte për prostitucion gra dhe vajza të futura në mënyrë të paligjshme në Itali. Ai dyshohet gjithashtu se ushtronte dhunë ndaj tyre për të maksimizuar fitimet dhe për t’i mbajtur nën kontroll.

Njoftimi i plotë i policisë:

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet FAST Albania dhe FAST Itali, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin, “FAST Albania”, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, bënë të mundur lokalizimin, në zonën e Institutit Bujqësor, në Tiranë, dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit Bekim Nikolli, 48 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Napolit, Itali, në nëntor të vitit 2021, e ka dënuar me 13 vjet burgim për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Skllavërimi/Nënshtrimi”, të parashikuara nga legjislacioni penal italian.

Nga informacionet e autoriteteve italiane rezulton se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, shfrytëzonte për prostitucion shtetase të futura në mënyrë të paligjshme në Itali.

Gjithashtu, ai dyshohet se ushtronte dhunë ndaj tyre, me qëllim maksimizimin e fitimeve nga shfrytëzimi për prostitucion dhe mbajtjen e tyre nën kontroll. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.