Ballina Opinion Kanye West dhe momenti kur protesta thyen monopolin e narrativës

Kanye West dhe momenti kur protesta thyen monopolin e narrativës

75
0

Nga Red Varaku

Problemi i vërtetë me të cilin po përballet sot pushteti nuk është vetë protesta, por fakti që protesta po sfidon monopolin e narrativës.

Çdo elitë politike nuk qeveris vetëm me institucione, ligje apo forcë. Ajo qeveris edhe përmes një historie që u tregon qytetarëve çdo ditë. Një histori që përsëritet në konferenca shtypi, në televizione, në portale dhe në rrjetet sociale. Një histori që synon të bindë shoqërinë se gjithçka është nën kontroll, se vendi po ecën në drejtimin e duhur dhe se çdo kritikë është e pabazë ose e motivuar politikisht nga ‘korbat dhe sorrat’ e opozitës.

Kjo është arsyeja pse kontrolli mbi narrativën është po aq i rëndësishëm, sa kontrolli mbi pushtetin.

Por siç edhe ështe e njohur çdo monopol ka një kufi. Ai thyhet në momentin kur në skene lind një histori tjetër, e cila sa vjen e nuk mund të injorohet më.

Kjo është ajo që po ndodh me protestën.

Historia e elitës është e thjeshtë, ekonomia po ecën, investimet po shtohen, Shqipëria po transformohet dhe pakënaqësitë janë të izoluara. Për këtë arsye vendi po ecën me shpejtësi drejt integrimit.

Historia e protestuesve është krejt tjetër. Ata thonë se pas fasadës së suksesit fshihen korrupsioni galopant, kapja e shtetit, grupet kriminale, padrejtësia, privilegjet për një pakicë dhe humbja e besimit të qytetarëve tek institucionet. Përmirësimi i tyre jo vetëm nuk e pengon integrimin, por e ndihmon atë.

Kështu ata nuk po kundërshtojnë vetëm një vendim apo një politikë të caktuar, ata po kundërshtojnë vetë rrëfimin mbi të cilin pushteti ka ndërtuar legjitimitetin e tij.

Pikërisht këtu historia hyn në një fazë të re politike.

Sepse kur perplasen dy narrativa, beteja nuk zhvillohet me vetem në shesh. Ajo zhvillohet në mendjet dhe zemrat e qytetarëve. Çdo protestë, çdo deklaratë, çdo reagim institucional, çdo vendim i qeverisë bëhet pjesë e një gare për të përcaktuar se cila histori do të besohet si e vërtetë.

Shembull historia e katër milionë eurove që qeveria akordoi për koncertin e Kanye West me justifikimin se ky koncert ndihmon në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë duke i treguar botës transformimin e madh që ka bërë vendi ynë po sfidohet nga narrativa që po tregon protesta, e cila lidhet me korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë me të cilat shpenzohen paratë e qytetarëve , ku në vend që këto para të shkojnë për spitale, shkolla apo avionë për të fikur zjarret, shkojnë për marketing të imazhit të Kryeministrit dhe konsolidim të pushtetit të tij.

Beteja e ashpër midis narrativave u dëshmua qartësisht mbrëmë  kur e gjithe qeveria dhe PS u angazhua në vetë të parë për të mbushur vendet në koncert dhe e perdori në mënyrë të turpshme këtë koncert, për të goditur pikërisht narrativën që ka ngritur protesta.

Vetëm se në këtë pikë, pavarësisht se si duket, propaganda nuk mjafton më. Nëse një narrativë alternative vazhdon të mbijetojë dhe të fitojë besueshmëri, monopoli i interpretimit fillon të shembet.

Historia politike tregon se regjimet dhe qeveritë rrallë bien sepse humbasin kontrollin fizik mbi territorin. Ato fillojnë të dobësohen kur humbasin kontrollin mbi mënyrën, se si qytetarët e interpretojnë realitetin.

Në momentin kur gjithnjë e më shumë njerëz nuk besojnë më historinë zyrtare, pushteti hyn në një fazë të re. Mund të kontrollojë ende institucionet, administratën apo shumicën parlamentare, por nuk kontrollon më kuptimin e ngjarjeve.

Dhe kur një pushtet humbet monopolin e narrativës, ai ka humbur armën e tij më të fortë, aftësinë për t’i bindur qytetarët se realiteti është ai që thotë ai, e jo ai që ata përjetojnë çdo ditë.