Ballina Europë Vala e tretë e të nxehtit godet Italinë, temperaturat pritet të arrijnë...

Vala e tretë e të nxehtit godet Italinë, temperaturat pritet të arrijnë deri në 42°C/ Ja zonat që do të goditen më fort

52
0

Italia po përjeton valën e tretë të të nxehtit ekstrem, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se ditët në vijim do të sjellin një tjetër rritje të ndjeshme të temperaturave.

Edhe pse në fillim të javës pritet një ulje e lehtë e temperaturave në disa zona, anticikloni afrikan do të fuqizohet sërish duke rikthyer vapën intensive, me kulmin e saj të enjten dhe të premten.

Sipas parashikimeve, temperaturat do të ngjajnë me ato të valës së dytë të të nxehtit, e cila zgjati rreth dy javë. Në ultësirën e Padanisë termometri pritet të shënojë 38-39°C, ndërsa në disa zona të Sardenjës, veçanërisht në veri të Cagliarit, temperaturat mund të arrijnë deri në 40-42°C.

Vala e të nxehtit do të prekë kryesisht rajonet qendrore dhe veriore të Italisë. Në Romë priten temperatura 37-38°C, ndërsa qytetet e veriut do të përballen me vapë të fortë. Rajonet jugore do të jenë disi më pak të prekura, megjithëse edhe atje temperaturat do të mbeten shumë të larta, duke arritur rreth 38°C në Foggia dhe disa zona të Pulias.

Ekspertët shpjegojnë se prej disa vitesh anticikloni afrikan ndjek një trajektore që godet fillimisht Spanjën, më pas Italinë veriore dhe më tej Francën, Belgjikën e Holandën, duke lënë jugun e Italisë relativisht më pak të ekspozuar. Ky ndryshim lidhet me zëvendësimin e anticiklonit të Azoreve nga ai afrikan, i cili vjen nga Afrika e Veriut dhe karakterizohet nga shpërthime më të forta dhe më të gjata të ajrit të nxehtë.

Sipas meteorologëve, nuk pritet një ndryshim i rëndësishëm i situatës deri në fund të muajit. Temperaturat e larta pritet të mbeten një tipar dominues edhe gjatë gushtit, në përputhje me parashikimet sezonale të bazuara në tendencat e viteve të fundit.

Vapa ekstreme do të ndihet edhe në zonat malore. Edhe në majën e Mont Blanc, mbi 4.500 metra lartësi, pritet që temperatura të mbetet mbi pikën e ngrirjes, duke konfirmuar se vala e të nxehtit do të përfshijë edhe Alpet.