Policia Kufitare e Vlorës u ka ardhur në ndihmë 9 turistëve të huaj, në 2 raste të ndryshme në Himarë dhe Ksamil, duke shmangur pasoja të rënda për jetën e tyre.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në Himarë, pas marrjes së njoftimit nga një spanjolle se i fejuari i saj kishte mbetur në vështirësi në det, pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur, ‘Blutë’ organizuan menjëherë operacionin që bëri të mundur shpëtimin e tij.
Ndërkohë në Ksamil, rreth orës 12:45, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë 8 turistëve brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, pasi mjeti i tyre lundrues, tip skaf plastik, rrezikonte të fundosej në zonën prapa vendit të quajtur “Tre Ishujt”.
Turistët e huaj, fatmirësisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar forcat e Policisë që ju kanë ardhur në ndihmë.
Njoftimi i Policisë:
DVKM Vlorë-Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare u vijnë në ndihmë 9 turistëve të huaj, në dy raste të ndryshme në Himarë dhe Ksamil, duke shmangur pasoja për jetën e tyre.
Reagimi i menjëhershëm dhe profesional i shërbimeve të Policisë Kufitare bëri të mundur shpëtimin e 9 turistëve të huaj, në dy raste të ndryshme të ndodhura gjatë ditës së sotme, në Himarë dhe Ksamil.
Në Himarë, pas njoftimit të marrë nga një shtetase spanjolle se i fejuari i saj, shtetasi spanjoll A. G., kishte mbetur në vështirësi në det, në zonën e Filikurit, pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.
Brenda një kohe të shkurtër u bë i mundur lokalizimi i tij, nxjerrja nga uji dhe transportimi në mënyrë të sigurt pranë Pikës së Kontrollit Kufitar Himarë, duke shmangur pasoja për jetën.
Në Ksamil, rreth orës 12:45, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë 8 turistëve brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, pasi mjeti i tyre lundrues, tip skaf plastik, rrezikonte të fundosej në zonën prapa vendit të quajtur “Tre Ishujt”.
Falë ndërhyrjes së shpejtë me gomone dhe jet ski, të gjithë turistët u shpëtuan, ndërsa mjeti lundrues u rimorkua në mënyrë të sigurt drejt plazhit “Puerto Rico”, në Ksamil.
Të dyja ndërhyrjet u përmbyllën me sukses, pa pasoja për jetën apo shëndetin e turistëve, të cilët shprehën mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për profesionalizmin, gatishmërinë dhe reagimin në kohë të shërbimeve të Policisë Kufitare.
Policia Kufitare mbetet maksimalisht e angazhuar për garantimin e sigurisë së jetës në det dhe apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e mjeteve të sigurisë, si dhe shmangien e lundrimit në zona që paraqesin rrezik.







