Ballina Aktualitet “Simboli i korrupsionit dhe i dështimit”/ Kalaja publikon pamjet: Jemi në nivel...

“Simboli i korrupsionit dhe i dështimit”/ Kalaja publikon pamjet: Jemi në nivel epidemie, institucionet heshtin

63
0

Aulon Kalaja ka publikuar pamje skandaloze nga Fushë-Kruja, ku denoncon një situatë të rëndë me grumbullimin e mbetjeve në zonën e Kodër-Dollakës, pranë fshatit Halil dhe kalasë së lashtë të Zgërdheshit.

Sipas Kalasë, ajo që dikur mund të ishte një zonë me potencial të lartë turistik është kthyer në një “mal me plehra”, si pasojë e mungesës së menaxhimit dhe neglizhencës institucionale.

“Ndodhem në malin me plehra në Fushë-Krujë, në një nga zonat më të rëndësishme historike të Shqipërisë, pranë Albanopolisit, nga ku kemi marrë edhe emrin Albania. Ky është simboli i korrupsionit dhe i dështimit të menaxhimit të mbetjeve”, deklaron Kalaja.

Ai akuzon institucionet përgjegjëse se kanë lejuar krijimin e një situate alarmante mjedisore, duke pretenduar se zona nuk funksionon si landfill dhe nuk plotëson standardet e kërkuara për trajtimin e mbetjeve.

“Nuk është landfill, nuk është incenerator. Është një vend grumbullimi mbetjesh, ku askush nuk mban përgjegjësi dhe ku po dëmtohet një nga zonat më të bukura të Krujës”, shprehet ai.

Kalaja ngre shqetësimin se mbetjet po hidhen pranë një zone me vlera historike dhe natyrore, ndërsa sipas tij, ndotja rrezikon edhe burimet ujore dhe tokat bujqësore përreth.

“Pas shpinës time është liqeni i Zagraçës, një pasuri që mund të ishte kthyer në pikë turistike. Por vetëm pak metra më tutje, ajo që shohim është një mal me plehra”, thotë Kalaja.

Në denoncimin e tij, ai akuzon Bashkinë Krujë për mosndërhyrje dhe kërkon pastrimin urgjent të zonës.

“Kjo është një situatë që kërkon përgjigje menjëherë. Nuk mund t’u flasim qytetarëve për turizëm dhe zhvillim, ndërsa pranë zonave historike krijohen male me mbetje”, deklaron ai.