Akademia e Sigurisë ka ndryshuar mënyrën e furnizimit me ushqim për kursantët, pas dy rasteve të helmimeve masive të regjistruara brenda një muaji. Institucioni nuk përdor më shërbimin e kateringut nga ‘SORI-AL’, por vaktet tashmë gatuhen në mensën e Akademisë.
Burime bëjnë me dije se ndryshimi ka hyrë në fuqi më 27 qershor, me synimin për të shmangur përsëritjen e incidenteve që tronditën institucionin.
Krahas rikthimit të gatimit në ambientet e mensës, është bërë edhe riorganizimi i saj, është shtuar personeli i kuzhinës dhe është zgjeruar menuja që u ofrohet kursantëve.
Sipas burimeve, studentët që frekuentojnë Akademinë shprehen se ushqimi është më i freskët, ndërsa vaktet janë më të larmishme krahasuar me periudhën kur shërbimi ofrohej nga kompania e kateringut.
Vendimi vjen pas dy episodeve të njëpasnjëshme të dyshuara si helmime ushqimore. Në total, 116 kursantë shfaqën simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, duke u transportuar për ndihmë mjekësore në QSUT.
Pas rasteve u ngrit një grup hetimor, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mori mostra të ushqimeve për analiza laboratorike.
Rasti i parë u regjistrua në muajin maj, kur dhjetëra kursantë përfunduan në spital.
Analizat laboratorike identifikuan një kampion ushqimor jokonform, ku në makaronat e gatshme u konstatua prani mbi normë e bakterit Escherichia coli dhe stafilokokut koagulazë pozitiv.
Pas këtij konstatimi, AKU pezulloi përkohësisht aktivitetin e kompanisë “SORI-AL”, e cila ofronte shërbimin e kateringut për Akademinë e Sigurisë, por në një vendim të dytë kateringu vijoi aktivitetin.
Vetëm pak javë më vonë, një incident i dytë preku mbi 60 kursantë të tjerë. Edhe në këtë rast, AKU kreu kontrolle të menjëhershme, mori 14 mostra ushqimore për analiza dhe nisi verifikimet për të përcaktuar shkakun e ngjarjes./boldnews







