Ballina Aktualitet Dita e 45-të e protestës, aktivistët: “I treguam Europës se Rama është...

Dita e 45-të e protestës, aktivistët: “I treguam Europës se Rama është një Lukashenko i dytë”, qytetari: “Berisha dhe Rama janë ortakë, të dy në burg”

48
0

Protesta qytetare hyri këtë të martë në ditën e saj të 45-të, ndërsa në shesh nuk munguan mesazhet e forta kundër qeverisë, por edhe kritikat ndaj opozitës.

Një nga aktivistët deklaroi se qëndresa 45-ditore ka arritur të ekspozojë para opinionit ndërkombëtar natyrën e qeverisjes së Edi Ramës, duke e krahasuar atë me regjimin e presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko.

“Arritjet e kësaj proteste për 45 ditë janë të jashtëzakonshme, të paimagjinueshme deri në ditën që kjo protestë nisi. Kjo protestë ka denoncuar fuqishëm korrupsionin e kësaj qeverie. Dalja masive e rinisë e ka mplakur këtë qeveri të korruptuar si kurrë më parë. Për 45 ditë i treguam Europës dhe jo vetëm se Edi Rama nuk është lider novator, por një Lukashenko i dytë, që justifikohet se e mban pushtetin me votat e popullit, ndërsa drejton një sistem ku pakica përfiton në kurriz të shumicës”, u shpreh ai.

Aktivisti akuzoi gjithashtu qeverinë se po përdor të njëjtën retorikë që, sipas tij, përdorte regjimi komunist në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, duke u përpjekur të delegjitimojë protestuesit.

“Njësoj si Ramiz Alia, edhe sot na akuzojnë se pas qytetarëve të lirë dhe të ndershëm qëndrojnë forca të errëta. Falënderojmë gazetarët që rikthyen në vëmendje deklaratat e Ramiz Alisë. Nuk ka asnjë dallim me mënyrën se si atëherë përpiqeshin të diskreditonin protestuesit. Në pamundësi për t’iu përgjigjur kërkesave tona, qeveria na përgjigjet me arrogancë, ndërsa ne do të vazhdojmë rezistencën deri në largimin e saj”, tha ai.

Në protestë foli edhe një qytetar, i cili drejtoi kritika si ndaj kryeministrit Edi Rama, ashtu edhe ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Janë bërë dy ortakë, Sali Berisha dhe Edi Rama. Të dy në burg. Rama na vjedh identitetin, ndërsa Berisha bën sikur nuk sheh. I dha 61 bashki Edi Ramës dhe sot bën të pafajshmin. Rama mbron oligarkët dhe sulmon protestën, ndërkohë që ka gjysmën e Partisë Socialiste në burg. Për këtë nuk mban përgjegjësi. Protesta është populli, protesta është rinia. Jep dorëheqjen dhe ik”, deklaroi ai.

Qytetari kritikoi edhe mbështetjen e deklaruar të Berishës për protestën, duke thënë se ajo nuk është reale.

“Sali Berisha thotë se e mbështet protestën. Nuk e mbështet. Po ta mbështeste, do të jepte dorëheqjen. Ti je tradhtari i parë. Një bashki sot në gjithë Shqipërinë ka vlerën e një berberhane. Shkoi në Ankara si fëmijët e kopshtit për të tërhequr vëmendjen. Ndaje mendjen ku e ke, në Lindje apo në Perëndim”, u shpreh ai.

Protesta e nisur 45 ditë më parë vijon të mbahet çdo mbrëmje në Tiranë, me organizatorët që deklarojnë se do ta vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.