Ballina Lifestyle Goditje për Brad Pitt, fëmijët e tij kërkojnë të heqin dorë nga...

Goditje për Brad Pitt, fëmijët e tij kërkojnë të heqin dorë nga mbiemri “Pitt”

69
0

Një tjetër zhvillim në marrëdhënien e tensionuar familjare të Brad Pitt dhe Angelina Jolie. Dy prej fëmijëve të tyre, Maddox dhe Zahara, kanë nisur procedurat ligjore për të hequr mbiemrin e aktorit dhe për të përdorur vetëm mbiemrin e nënës së tyre.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga revista People, të dy kanë përfunduar një hap të rëndësishëm të procesit ligjor, duke publikuar njoftimin zyrtar për ndryshimin e emrit në një gazetë ligjore të Kalifornisë, siç kërkohet nga procedurat shtetërore.

Zahara, 21 vjeç, ka kërkuar që emri i saj i plotë të jetë “Zahara Marley Jolie”, ndërsa Maddox, 24 vjeç, të quhet “Maddox Chivan Jolie”. Kërkesat ende nuk janë miratuar përfundimisht dhe vendimi pritet të merret pas një seance gjyqësore të planifikuar për muajin shtator.

Kjo nuk është hera e parë që një prej fëmijëve të ish-çiftit ndërmerr një hap të tillë. Shiloh, vajza e tyre tjetër, kishte nisur më herët procedurën për ndryshimin e mbiemrit, ndërsa më pas kërkesa të ngjashme u raportuan edhe për binjakët Vivienne dhe Knox.

Angelina Jolie dhe Brad Pitt u ndanë në vitin 2016, ndërsa divorci i tyre u finalizua vetëm dy vite më parë pas një procesi të gjatë ligjor. Që prej ndarjes, marrëdhënia mes aktorit dhe disa prej fëmijëve të tij është raportuar si e distancuar.

As Jolie dhe as Pitt nuk kanë komentuar publikisht vendimin e fëmijëve, ndërsa burime pranë të dyja palëve kanë dhënë versione të ndryshme për arsyet e kësaj situate familjare.