Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla është përfshirë në një replikë në distancë me gazetarin e BIRN, ekspertin e ekonomisë, Gjergj Erebara. Shkak është bërë një postim ironik që gazetari ka hedhur në rrjetin e privat Facebook.
Gazetari Erebara postoi një fotografi të modifikuar me AI, në të cilën ironizohej emri i Ballës dhe fotografitë nga droni që ky i fundit poston për të sulmuar protestën e qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës.
“Urgjent të mblidhen 30 patronazhistë ta bëjnë P-në B. Pranohen edhe trafikantë droge nga Elbasani. Kjo foto është krijim artistik dhe nuk reflekton postim real,” shkruan Erebara.
Pas këtij postimi, kreu i Grupit të PS sulmoi jo vetëm gazetarin, por edhe BIRN. Balla i kërkoi llogari ambasadave dhe donatorit Soros, i cili përmes Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, jep fonde për këtë media.
“Ky “falsifikator” qenka redaktor/bashkëpunëtor i BIRN Albania, një organizatë që u merrka me gazetari investigative si dhe me trajnimin e gazetarëve dhe projekte për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies. Hajde mision hajde. Hajde gazetari investigative hajde. TURP!
Organizata u financoka nga donatorë ndërkombëtarë, përfshirë programe të Bashkimit Evropian, ambasada, fondacione dhe organizata ndërkombëtare, sipas projekteve që zbaton. Madje deklaron se misioni i saj është promovimi i gazetarisë cilësore, transparencës, llogaridhënies dhe vlerave demokratike.
Kam një pyetje për këto donatorët: Fondacioni Shoqëria e Hapur në Shqipëri (OSFA), Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) dhe ambasadat e disa vendeve (nuk po i përmend këtu sepse do t’i drejtohem direkt), a është kjo në foto ajo gazetaria cilësore, transparente, që ju keni financuar? A mendoni se në vendet tuaja mund të lejohet që redaktori i një mediaje të financuar me para publike të falsifikojë dhe fyejë deri në këtë nivel?” shkruan Balla.







