Besmir Gjezari është liruar këtë të mërkurë nga burgu, pas përfitimit nga Amnistia Penale. Menjëherë pas daljes, ai ka hedhur akuza të forta ndaj organeve të drejtësisë, duke deklaruar se është dënuar padrejtësisht dhe se do të nisë një betejë ligjore për të kërkuar drejtësi. Gjezari tha se ishte dënuar me pesë vite burg për akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, ndërsa shtoi se ka vuajtur dy vite e shtatë muaj burgim.
“Jam dënuar padrejtësisht. Nuk jam kapur me asnjë lloj lënde narkotike. Akuzat ndaj meje ishin të padrejta dhe tani do të kërkoj drejtësi. Kjo është vetëm fillimi. Sapo kam dalë, do t’i nis të gjitha procedurat nga e para”, u shpreh ai.
Sipas Gjezarit, për më shumë se dy vite nuk ka mundur të takojë familjen e tij, duke pretenduar se nuk i është lejuar komunikimi me ta.
“Kam mbi dy vite që nuk kam takuar familjen time. Kam një fëmijë të mitur, 3 vjeç, të cilin e lashë kur ishte rreth një vjeç dhe nuk kam mundur ta shoh. Më është mohuar padrejtësisht edhe e drejta për ta takuar”, deklaroi ai. Gjezari ngriti gjithashtu pretendime se ai dhe familja e tij janë përballur me kërcënime.
“Ndihem shumë i kërcënuar dhe i rrezikuar, si unë ashtu edhe familja ime. Jam kërcënuar me jetë”, tha ai.







