Një operacion i madh antidrogë në Itali çoi në sekuestrimin e një ngarkese të madhe kokaine që po futej në vend me kamion. Guardia di Finanza njoftoi se kishte kryer sekuestrim masiv të mbi 111 kilogramëve kokainë të ndara në blloqe, si dhe 19,000 euro në para të gatshme.
Në pranga ranë tre persona, 2 prej tyre shqiptarë dhe një rumun, që ishin drejtues të mjetit dhe korrierë të mallit. Droga ishte e paketuar mirë dhe e stampuar me logo elefanti.
Ky është edhe rezultati i një operacioni antidrogë të kryer nga oficerët e Guardia di Finanza nga Komanda Provinciale e Ankonës.
Duke ndjekur një makinë të dyshimtë nga Ankona në zonat përreth Parmës, policia financiare më vonë vuri re një shkëmbim çantash midis makinës dhe një kamioni që ishte ndalur pranë. Droga, që më vonë u zbulua se ishte kokainë, e ndarë në 100 blloqe, u gjet në një fund të rremë në kabinën e kamionit.
Sipas një vlerësimi të Guardia di Finanza, pasi të pritej dhe të hidhej në treg, kokaina do të kishte gjeneruar fitime prej afërsisht 20 milionë eurosh, informon media italiane.
Me urdhër të Prokurorisë Publike të Parmës, tre individë – dy personat në makinë dhe shoferi i gjysmërimorkios, të dy me origjinë shqiptare dhe njëri rumun, u arrestuan dhe u transferuan në Burgun e Parmës.







