Nga Ola Xamo
Ka një standard etik në profesionin e gazetarit, i cili nuk lejon të protestohet për kauza mbi të cilat raporton, përndryshe konsiderohet i anshëm.
Këtë dilemë e kam patur dhe vetë, përpara se të vendosja të dilja në protestë. Vendosa të shkoj sepse e ndjeva se kauza për të cilën protestohet më përkiste dhe mua: si gazetare dhe si qytetare. Pa gjykuar askënd që zgjodhi të mos marrë pjesë në protestë sepse mendoi se shkelej etika, po e sqaroj se si e pashë këtë rast:
A mund të flitet për standarde të etikës së gazetarëve, kur ne na shkelen me të dy këmbët të drejtat edhe si qytetarë edhe si gazetarë?!
A mund të flitet për etikë në një vend ku shumica e instrumentëve që vendosin balancën në një demokraci funksionale (parlamenti, drejtësia, Presidenca dhe shumica e institucioneve të pavarura, shoqëria civile, media etj.) nuk kryejnë funksionin e tyre?!
A mund të flitet për standarde etike dhe cënim të anshmërisë në raportim, kur në ditët e para thuajse asnjë media nuk transmentonte protestën, kur askush nuk përmendte emrat e investitorëve lokalë në Zvërnec dhe kur rrahjen e protestuesve aty e pamë në rrjete sociale sepse asnjë nga mediat tradicionale nuk kishte dërguar gazetar?
Cila është thyerje më e madhe e etikës për një gazetar: të protestojë dhe raportojë (duke u konsideruar i njëanshëm) apo të censurohet?!
A duhet të dalim ne si gazetarë për të protestuar për dëmet që pushteti i ka bërë profesionit tonë, ku çdo vit klasifikohemi poshtë në indeksin e lirisë së mediave dhe dhjetra raporte flasin për kapje të tyre dhe presion ndaj gazetarëve?!
Morali dhe etika janë dy koncepte që lëvizin dhe ndryshojnë në varësi të kontekstit.
Nuk mund të flitet për etikë të gazetarëve në një vend që i janë shkelur me këmbë të drejtat si qyetar, ku zëri i qytetarit nuk dëgjohet dhe problemet që ka nuk raportohen.
Protesta nisi si një revoltë qytetare kur shumica e instrumentave që bëjnë funksional një sistem demokratik ra. Askush nuk foli për interesin e qytetarit, as qeveria, as institucionet e pavarura, as partia më e madhe e opozitës dhe as shumica e medias dhe një pjesë e shoqërisë civile.
Në këto kushte, përpara çdo manuali etik gazetarie prevalon interesi publik!
Prandaj nuk është çudi që gjatë ditëve të para kur asnjë media nuk transmentonte protestën, sheshi ishte i mbushur me gazetarë dhe punonjës së mediave.
Ata ishin aty për të dhënë mesazhin se demokracia nuk funksionon. Dhe në një vend ku nuk funksionon demokracia, ku shoqëria nuk është e lirë dhe media ndrydhet, nuk ka se si mund t’i kërkosh dikujt të qëndrojë në shtëpi dhe të respektojë etikën!







