Ballina Kronika Tentoi të transportonte pistoleta/ Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari me precendent...

Tentoi të transportonte pistoleta/ Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari me precendent të mëparshëm penal

53
0

Policia e Shtetit ka goditur një rast të rëndë të trafikimit të armëve të zjarrit, duke vënë në pranga një 31-vjeçar, i cili dyshohet se furnizonte grupe kriminale në zonën e Sarandës.

Sipas unifromave blu, forcat e Policisë kanë bllokuar automjetin e 31-vjeçarit në momentin që po kalonte nëpër tunel dhe gjatë kontrollit të imtësishëm, efektivët gjetën të fshehura në dyshemenë e mjetit 4 pistoleta.

Nga hetimet paraprake rezulton se armët ishin trafikuar në territorin shqiptar të çmontuara në pjesë. Më pas, ato ishin montuar brenda vendit për t’u shndërruar në armë zjarri plotësisht funksionale, me qëllim shitjen e tyre tek një grup kriminal që operon në Sarandë.

Njoftimi i Policisë:

“Sarandë/Finalizohet si rezultat i një hetimi me metoda speciale, operacioni i koduar “Mekanizmi”.

Transportonte 4 pistoleta, kapet në tunelin e Skërficës, dhe vihet në pranga 31-vjeçari (me precedent në fushën e narkotikëve). Nga hetimi dyshohet se armët janë trafikuar në pjesë dhe janë montuar në Shqipëri, për t’ia shitur një grupi kriminal në Sarandë. Sekuestrohen armët e zjarrit dhe automjeti që drejtonte i arrestuari, në dyshemenë e të cilit, ishin fshehur armët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, si rezultat i një hetimi me metoda speciale, kryer në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve, të cilët individualisht ose në grup, përbëjnë rrezik për kryerje të ngjarjeve kriminale dhe për sigurinë e qytetarëve, finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë së Sigurisë Publike, Njësia Fier, dhe me shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, operacionin e koduar “Mekanizmi”.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 31 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë mbajtur në vëzhgim automjetin që drejtonte 31-vjeçari dhe në tunelin e Skërficës kanë kryer ndalimin e tij.

Nga kontrollet në automjet u gjetën të fshehura në dysheme, 4 armë zjarri (pistoleta) që dyshohet se janë trafikuar në Shqipëri, në pjesë, dhe janë montuar më pas, me qëllim shitjen një grupi kriminal në Sarandë. Hetimi vijon me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia.