Ballina Europë ​Zyrtarët italianë dënohen me burg për tragjedinë e urës në Gjenovë ku...

​Zyrtarët italianë dënohen me burg për tragjedinë e urës në Gjenovë ku humbën jetën 43 persona

49
0

Ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë Autostrade per l’Italia (ASPI), Giovanni Castellucci, u dënua të enjten me 12 vjet burg për tragjedinë e shembjes së urës Morandi në Gjenovë më 2018, ku humbën jetën 43 persona.

Gjykata e Gjenovës dënoi gjithsej 32 persona, përfshirë ish-drejtues dhe zyrtarë teknikë të ASPI dhe kompanisë së mirëmbajtjes SPEA, me afro 200 vjet burg në total për akuza si vrasje, vrasje rrugore dhe shembje nga pakujdesia.

Prokuroria kishte kërkuar 18 vjet e gjashtë muaj burg për Castelluccin, i cili aktualisht ndodhet në burg duke vuajtur edhe një dënim tjetër për një aksident në autostradën A16 më 2013, ku vdiqën 40 persona.

Ish-drejtuesi i tretë i ASPI-së, Michele Donferri, u dënua me 11 vjet, ndërsa ish-zëvendësdrejtori Paolo Berti dhe ish-kreu i SPEA-s, Antonino Galata, me nga pesë vjet e gjashtë muaj. Ish-zyrtari i Ministrisë së Transportit, Mauro Coletta, mori pesë vjet burg.

Sipas ANSA, prokuroria tha se shumë prej të dënuarve e dinin rrezikun e shembjes së urës, por nuk ndërmorën masa parandaluese. ASPI dhe SPEA nuk janë më pjesë e procesit penal, pasi arritën marrëveshje për pagesën e rreth 30 milionë eurove dëmshpërblim, transmeton KosovaPress.

Ura Morandi u shemb në gusht 2018, ndërsa në vend të saj u ndërtua Ura e re San Giorgio, e projektuar nga arkitekti Renzo Piano dhe e hapur në vitin 2020.