Kreshnik Tërnova, anëtar i Komisionit të Prokurimit Publik, emri i të cilit lakohet në dosjen e AKSHI-t si lidhje e drejtpërdrejtë me biznesmenin në arrati Ermal Beqiri, është zyrtarisht nën hetim nga SPAK.
Ai po hetohet për akuzat e “shkeljes së barazisë në tendera”, “korrupsionit” dhe “deklarimit të rremë”, lidhur me një tender të spitalit të Dibrës.
Hetimet për Tërnovën nisën mbi bazën e një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku gjatë auditimit u konstatuan shkelje të rënda. Bëhet fjalë për një tender që lidhet me asgjësimin e mbetjeve.
Tërnova, ndërkohë, është thirrur dhe marrë në pyetje edhe në kuadër të hetimit për skandalin e AKSHI-t, ku SPAK thotë se ka zbuluar një grup kriminal që vepronte brenda institucionit që drejtohej nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët janë në arrati.
Ndërsa po hetohet tashmë nën masën e detyrimit për paraqitje edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Grupi kriminal paracaktonte tenderat dhe urdhëronte rrëmbimin e rivalëve, sikurse ishte rasti i Gerond Meçes, duke e detyruar të hiqte dorë nga tenderat në AKSHI.







