Banka Kombëtare Tregtare është shpallur “Banka më e Mirë në Shqipëri” në çmimet prestigjioze Euromoney Awards for Excellence 2026, duke vlerësuar performancën e fortë financiare të Bankës, inovacionin e vazhdueshëm dhe ndikimin pozitiv te klientët në të gjithë Shqipërinë. Kjo është hera e tetë që BKT vlerësohet nga Euromoney me çmimin “Banka më e Mirë në Shqipëri”.
Prej më shumë se 30 vitesh, Euromoney Awards for Excellence vlerëson institucionet financiare që vendosin standarde globale në performancë, inovacion dhe shërbim ndaj klientit. Fituesit përzgjidhen përmes një procesi të strukturuar kërkimor dhe krahasues, të bazuar në tregues të matshëm, aplikime të detajuara dhe vlerësimin e institucioneve kundrejt homologëve të tyre.
Euromoney e cilësoi vitin 2025 si një vit veçanërisht të suksesshëm për BKT-në, gjatë të cilit Banka ndërthurur rritjen e fortë financiare me inovacionin e orientuar në segmentet e bankingut individual dhe atij të biznesit.
Aktivet totale të BKT-së arritën në 6.7 miliardë USD në fundin e vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 23% krahasuar me vitin 2024, ndërsa depozitat u rritën me 20% në terma vjetorë, duke arritur në 5.5 miliardë USD. Kjo rritje forcoi më tej bazën e financimit dhe kapacitetin kreditues të Bankës. BKT regjistroi gjithashtu një fitim në baza individuale prej 97.4 milionë USD dhe një kthim mbi kapitalin prej 23.8%.
Çmimi u tërhoq nga z. Mehmet Usta, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të BKT-së, z. Seyhan Pencablıgil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit të Drejtorëve të BKT-së, si dhe z. Esad Kamil Çalık, përfaqësues i Çalık Holding.
“Për ne është një burim i madh krenarie marrja e këtij çmimi prestigjioz, pikërisht në momentin kur BKT hyn në shekullin e saj të dytë,” u shpreh z. Mehmet Usta. “Pas kremtimit të 100-vjetorit të Bankës në vitin 2025, ky vlerësim shënon një fillim të rëndësishëm për kapitullin e ri të historisë së BKT-së. Mbështetja e vazhdueshme dhe vizioni afatgjatë i Çalık Holding kanë qenë thelbësore në zhvillimin e BKT-së, duke i mundësuar Bankës të rritet, të sjellë risi dhe të konsolidojë më tej pozicionin e saj udhëheqës në treg.”
“Ky vlerësim përbën një arritje të rëndësishme për BKT-në dhe pasqyron përkushtimin e punonjësve tanë, besimin e klientëve, udhëheqjen e Bordit të Drejtorëve dhe fuqinë e strategjisë sonë afatgjatë,” u shpreh z. Seyhan Pencablıgil. “Shpallja si Banka më e Mirë në Shqipëri nga Euromoney na motivon të vijojmë investimet në inovacion, digjitalizim dhe zgjidhje financiare të orientuara drejt klientit, të cilat mbështesin individët, bizneset dhe ekonominë shqiptare në tërësi.”
Performanca e fortë e BKT-së gjatë vitit 2025 u mbështet nga inovacioni i vazhdueshëm në bankingun individual dhe atë të biznesit. Banka zgjeroi aksesin në financim, prezantoi shërbime digjitale më të shpejta dhe më të përshtatshme, si dhe u mundësoi klientëve hapjen e llogarive dhe plotësimin e dokumentacionit në distancë. Në segmentin e bankingut të korporatave,përmirësimet në shërbimet e pagesave dhe kredive dokumentare për tregtinë nxitën përdorimin më të gjerë të kanaleve digjitale, ndërsa transfertat ndërkombëtare shënuan një rritje vjetore prej 39%, duke përforcuar kështu angazhimin e BKT-së për shërbime bankare efikase, të sigurta dhe të orientuara drejt klientit.
Çmimi i Euromoney përforcon pozicionin e BKT-së si një nga institucionet financiare udhëheqëse në Shqipëri dhe vlerëson aftësinë e saj për të ndërthurur rritjen e qëndrueshme financiare me inovacionin praktik dhe shërbimin cilësor ndaj klientit.
Ky vlerësim u bë edhe më domethënës me shpalljen e BKT Kosova si “Banka më e Mirë në Kosovë”, duke konfirmuar angazhimin e BKT-së për performancë të lartë, zhvillim të vazhdueshëm dhe ofrimin e shërbimeve bankare cilësore e të orientuara drejt klientit në të dy tregjet.
Banka Kombëtare Tregtare është banka më e madhe në Shqipëri dhe ofron një gamë të plotë produktesh dhe shërbimesh bankare për klientët individë, bizneset dhe korporatat. Përmes investimeve të vazhdueshme në teknologji, inovacion dhe përvojën e klientit, BKT synon të ofrojë zgjidhje financiare të sigurta, të aksesueshme dhe moderne, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.







