Ballina Ekonomia Emigrantët nuk janë pajisur me AMTP për tokat bujqësore, deputeti i PS...

Emigrantët nuk janë pajisur me AMTP për tokat bujqësore, deputeti i PS sjell ligj që rihap procesin

43
0

Një nismë e re ligjore e depozituar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë nga deputeti i Qarkut të Vlorës, Vullnet Sinaj, kërkon ndryshimin dhe shtimin e disa pikave kyçe në ligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”. Propozimi vjen si një “shpresë e fundit” për të gjithë ata qytetarë dhe emigrantë që për shkaqe burokratike e objektive kanë humbur afatet për të marrë titujt e tyre të pronësisë (AMTP), si dhe si një armë e re e fortë në duart e bashkive për të luftuar zaptuesit e tokave, rrugëve dhe kanaleve ujitëse.

Sipas kuadrit ligjor aktual, afati i fundit për të paraqitur kërkesë për pajisjen me AMTP pranë bashkive ka qenë data 7 nëntor 2020 (gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit në maj të atij viti). Kushdo që nuk arriti të aplikonte brenda kësaj dritareje të shkurtër kohore, e humbi të drejtën për të marrë titullin e pronësisë për tokën bujqësore që e disponon dhe e punon faktikisht.

Por, siç shpjegon deputeti Sinaj në relacionin e tij, ky afat rezultoi tejet ndëshkues dhe joreal për realitetin shqiptar, sidomos për ata që jetojnë jashtë kufijve.

“Nga veprimtaria si deputet i zgjedhur i qarkut Vlorë jam njohur me dhjetëra e dhjetëra raste të banorëve, të cilët për shkak të mungesës së informacionit, si dhe për shkak se kanë qenë në emigrim, nuk kanë mundur të bëjnë kërkesë për pajisjen me AMTP, brenda datës 07.11.2020,” nënvizon deputeti Sinaj në relacion.

Sipas tij, kjo situatë nuk është e izoluar vetëm në jug të vendit, por prek me mijëra qytetarë në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Për të zgjidhur këtë ngërç, projektligji i ri propozon shtyrjen e këtij afati deri më 31 dhjetor 2027. Kjo periudhë e zgjatur është menduar posaçërisht që t’u japë kohë emigrantëve të cilët kthehen në atdhe gjatë pushimeve të verës apo festave të fundvitit.

Një tjetër pikë e nxehtë që rregullon ky projektligj është trajtimi i zaptimit dhe dëmtimit të tokës bujqësore. Deri më sot, kur dikush zaptone rrugën e kalimit, kanalin kullues apo vetë tokën e një tjetri, pronari legjitim nuk kishte asnjë zgjidhje të shpejtë administrative. Ligji aktual për vetëqeverisjen vendore u jep bashkive vetëm kompetenca të përgjithshme administrimi, por jo mekanizma konkretë ekzekutivë apo ndëshkues.

Deputeti Sinaj e përshkruan qartë këtë tmerr burokratik që kalojnë sot qytetarët:

“Sot, qytetari i cili pretendon të drejtën e pronësisë për tokën apo kalimet e zëna në kundërshtim me ligjin nga persona të tjerë, duhet të bëjë kallëzim penal në organet ligjzbatuese, procese të cilat për shkak të zgjatjes të procedurave, nuk janë efektive. Nga ana tjetër, qytetari nuk legjitimohet për të ngritur padi përpara gjykatës, në rastet kur nuk ka mundur të pajiset me AMTP dhe më pas me certifikatë pronësie…”

Për t’i dhënë fund kësaj sage, projektligji propozon shtimin e Nenit 15/1. Ky nen i ri u jep strukturave të bashkisë (kryetarëve të fshatrave, administratorëve të njësive, policisë bashkiake apo punonjësve të bujqësisë) detyrën që, sapo të konstatojnë apo të marrin njoftim për një zaptim apo dëmtim, të hartojnë një procesverbal brenda 24 orëve dhe t’ia dërgojnë Kryetarit të Bashkisë.

Pas kësaj, Kryetari i Bashkisë ka vetëm 5 ditë kohë për të vepruar:

Ai urdhëron kthimin e menjëhershëm të tokës në gjendjen e mëparshme ose lirimin e rrugëve e kanaleve brenda një afati maksimal prej 15 ditësh.
Nëse zaptuesi nuk bindet, strukturat e bashkisë do ta ekzekutojnë lirimin me forcë, ndërsa të gjitha faturat e shpenzimeve të këtij operacioni do t’i ngarkohen dhe do t’i mblidhen vetë shkelësit.
Çdo ankimim që shkelësi mund të bëjë në gjykatën administrative nuk do të pezullojë zbatimin e vendimit të bashkisë – një masë kjo që parandalon bllokimin e mëtejshëm të pronës me vite përmes proceseve gjyqësore.
Mbrojtje edhe për ata që s’kanë marrë ende letrat nga shteti
Një risi tejet e rëndësishme e projektligjit është mbrojtja që u ofrohet qytetarëve të cilët janë përfitues të ligjshëm të tokës, por për shkak të vonesave të institucioneve, ende nuk e kanë marrë fizikisht dokumentin e AMTP-së apo certifikatën e pronësisë. Këta qytetarë tashmë do të legjitimohen plotësisht që t’i drejtohen bashkisë për të denoncuar cënimin e pronës së tyre. Kjo parandalon zaptuesit abuzivë që të përfitojnë nga vonesat e Kadastrës (ASHK) për të përvetësuar pronat e të tjerëve.

Sipas relacionit, ky projektligj nuk mbart asnjë kosto apo efekt financiar për buxhetin e shtetit. Ai synon vetëm rritjen e efikasitetit në terren dhe vendosjen e një rregulli të munguar prej vitesh në zonat rurale të vendit. Nisma tashmë ka kaluar për shqyrtim në komisionet parlamentare të Kuvendit dhe pritet të diskutohet në seancat e ardhshme plenare.