Interi vijon kërkimet për një mbrojtës të djathtë, pas dështimit të dy negociatave të fundit në merkato. Me fazën përgatitore që ka nisur, drejtuesit zikaltër synojnë ta mbyllin sa më shpejt operacionin për përforcimin e krahut të djathtë.
Objektivi kryesor mbetet Djed Spence. Mbrojtësi anglez i Tottenhamit është profili më i pëlqyer nga trajneri Cristian Chivu, i cili kërkon ta ketë lojtarin në dispozicion sa më parë për ta integruar në skemat e skuadrës.
Megjithatë, marrëveshja nuk pritet të jetë e lehtë. Tottenhami vlerëson kartonin e Spence me mbi 45 milionë euro, ndërsa Interi synon të mos shkojë përtej 35 milionëve. Çmimi mund të rritet edhe më tej pas përfundimit të Kupës së Botës, ku lojtari do të jetë i angazhuar në finalen mes Anglisë dhe Francës.
Spence ka kontratë me klubin londinez deri në vitin 2029, por konkurrenca me Pedro Porro i ka kufizuar hapësirat dhe një rikthim në Serie A shihet si një mundësi e mirë për vazhdimin e karrierës së tij. Bisedimet konkrete mes klubeve pritet të nisin javën e ardhshme, pas përfundimit të turneut botëror.
Ndërkohë, Interi nuk dëshiron të mbetet pa alternativa. Në listën e drejtuesve zikaltër vazhdojnë të jenë edhe Guelà Doué, Vanderson i Monacos, si dhe Belghali i Veronës dhe Ndyoe i Nottingham Forest.
Pritet të shihet nëse Interi do të arrijë të bindë Tottenhamin për Djed Spence, apo do të detyrohet të ndryshojë objektiv në ditët në vijim.







